Analize

Ekskluzive/ Holanda kushte shtesë Shqipërisë për çeljen e negociatave

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të veshë më  “kostumin e dasmës” për hapjen e negociatave. Edhe pse kësaj radhe, të gjitha gjasat janë që vendi ynë të marrë më në fund "dritën jeshile" për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, “kostumit të dasmës” së zotit Rama mund t’i shtohen edhe dy “arna” të reja. Kërkesat e fundit ishin ato të Parlamentit të Gjermanisë, e cila vendosi nëntë kushte për hapjen e negociatave.

Sot Gazeta "Si" mëson ekskluzivisht se një tjetër parlament, ai holandez mund të ketë disa kushte të mëtejshme për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Burime politike në Berlin i bënë me dije Gazetës se qeveria e kancelares Angela Merkel nuk do të vendosë kushte të mëtejshme ndaj Shqipërisë, por Holanda nuk është ende e bindur nëse duhet të japë ose dritën jeshile për vendin tonë.

Në fund të marsit, kur të gjithë liderët e BE-së të mblidhen për të marrë vendimin që kanë qënë duke e shtyrë prej më shumë se dy vitësh, kryeministri holandez ka shumë të ngjarë të shtojë dy kushte të tjera në tryezën e negociatave.  

Lajmi u sinjalizua fillimisht një ditë më parë nga Hans Joachim Falenski, Këshilltari i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të politikës së jashtme dhe një nga njohësit më të spikatur të gjendjes politike në Shqipëri.

Edi Rama dhe Angela Merkel. Gazeta Si, 2020

Duke folur në një panel diskutimi në ambientet e Parlamentit Gjerman, kristiandemokrati Joachim Falenski do të ishte i pari që do të njoftonte se Shqipërisë mund t'i shtohen edhe kushte të tjera, përveç nëntë kushteve të caktuara nga Bundestagu.

Një nga kërkesat e qeverisë holandeze për hapjen e negociatave vazhdo të jetë e njëjta: Lufta kundër krimit dhe drogës. Rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë është bërë shkak kryesor për veton e Holandës ndaj çeljes së negociatave me Shqipërinë. Madje, në tetor, Holanda ishte e gatshme për ndarjen e dosjeve të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, duke dhënë dritën jeshile për këtë të fundit, por jo për vendin tonë. Ndarja e Tiranës dhe Shkupit u kundërshtua ashpër nga Franca, edhe pse në fund ishte vetë Parisi, ai që vendosi veton për negociatat.

Megjithatë, edhe pse Franca duket se ka zbutur qëndrimin e saj, duke thënë se do të japë miratimin nëse Komisioni Europin rekomandon hapjen e negociatave, Holanda vazhdon të jetë skeptike. Në qershor të vitit ta kaluar, kryeministri holandez u shpreh i gatshëm të hiqte veton ndaj Shqipërisë, nëse vendi ynë merrte “bekimin” e Francës, por duke parë zhvillimet e fundit, “ping-pongu” politik për negociatat ka të ngjarë të vazhdojë. 

Cilat janë kushtet e Holandës?

Nëse për Francën shqetësues është emigracioni që vjen nga Shqipëria, për Holandën është krimi i organizuar. Një nga kushtet e Holandës për hapjen e negociatave është bërë i qartë dy muaj më parë nga Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok në një intervistë për mediat kroate. Duke folur më 9 janar, Blok ka deklaruar se përpara se të hapen negociatat, Shqipëria duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Blok deklaroi se Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër krimit, pavarësisht presionit të BE-së.

Ministri i Jashtëm holandez, Steff Blook para hyrjes në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të BE-së. Gazeta Si, 2020

“Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat pa rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar ai. “Ky qëllim përfundimtar është i palëkundshëm”, është shprehur ministri holandez në një intervistë për gazetën kroate “Jutrnji List”.

“Verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është veçanërisht thelbësor. Ka pasur reforma të rëndësishme ligjore dhe janë krijuar institucione të reja të drejtësisë. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria do të duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, është shprehur ai, ndërsa ka theksuar se është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojnë me reformat dhe se Holanda është e gatshme të ndihmojë.

Një nga nëntë kushtet e vendosura nga Bundestangu Gjerman është në fakt edhe arritja e rezultateve në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve "peshq të mëdhenj". Por për Holandën ky kusht nuk ka qenë i mjaftueshëm. Kjo iu bë e qartë Gjermanisë edhe nga kryeministri Mark Rutte, gjatë një takimi në Berlin, në tetor. "Si shumë vende të tjera të BE-së, edhe ne jemi të shqetësuar. Pak më pak për Shkupin dhe më shumë për Tiranën. Ne pyesim se sa përparim ka pasur në Shqipëri dhe jemi edhe më të shqetësuar për këtë", u shpreh kryeministri holandez gjatë konferencës me Merkel.

Në qershor të këtij viti, parlamenti holandez votoi kundër fillimit të negociatave me Tiranën dhe ka kërkuar rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë.

Pasi parlamenti holandez, votoi për rikthimin e vizave, ai vuri në dukje se ka pasur një rritje të konsiderueshme në aktivitetet kriminale nga mafia shqiptare në Holandë. Sipas Holandës, organizatat kriminale shqiptare po abuzojnë me mundësinë e udhëtimit pa viza nëpër Europë, për të zgjeruar më tej rrjetin e tyre të kontrabandës. Sipas tyre, Shqipërinë ka shkelur kushtet për lëvizjen e lirë.

Ministri holandez i Drejtësisë dhe Sigurisë Ferdinand Grapperhaus kishte paralajmëruar në fillim të vitit të kaluar Tiranën zyrtare për ndikimin në rritje të kriminelëve shqiptarë në botën e krimit në vendin e tij. Ministri ka zhvilluar një vizitë në kryeqytetin shqiptar për të nxitur qeverinë që të bëjë më shumë kundër shqetësimeve për bandat shqiptare. “Unë shkova në Tiranë për t’u kërkuar që të adresojnë këto shqetësime”, tha Grapperhaus prillin e kaluar pas vizitës së punës. Ai e bëri të qartë në Tiranë se qeveria holandeze është e shqetësuar për implikimin e bandave shqiptare në botën e drogës, por se rikthimi i vizave nuk do t’i ndalone këto banda që të hynin në Holandë. Për ministrin, mafia shqiptare është aktive në trafikimin e kokainës dhe qenieve njerëzore. “Falë trafikimit të kokainës, bandat shqiptare janë të përfshira tanimë në të gjithë rrjetin, nga Amerika e Jugut deri te transporti deri në portin e Roterdamit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë