Politike

Ekskluzive/ Fredi Beleri akuza direkte kryeministrit Rama: Si po kontrollon drejtësinë për të marrë Himarën pa zgjedhje

Pak ditë më parë, një postim i kryeministrit në platformën X për çështjen Beleri nxiti një zinxhir reagimesh, duke dhënë përshtypjen se diçka po lëvizte drejt një zgjidhje të butë dhe pa zhurmë, pavarësisht qendrimit në arrest me burg të kandidatit të zgjedhur në Bashkinë Himarë, Fredi Beleri. Por në një intervistë ekskluzive për Gazetën Si, zoti Beleri bëri të qartë një panoramë shumë larg kompromisit. Kjo çështje përbën rëndësi, veçanërisht, për veton e Greqisë ndaj nisjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërissë në Bashkimin Europian, por zbardhja, së fundmi, e vendimit të gjykatës për refuzimin e kërkesës së Fredi Belerit për të bërë betimin si kryetar i Bashkisë, ka kaluar të tjera kompetenca tek qeveria.

Sipas këtij vendimi, në pamundësi që Fredi Beleri të marrë lejen për të bërë betimin, i takon qeverisë të gjejë zgjidhjen për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve. Një arsyetim, që zoti Beleri e cilëson politik dhe në shërbim të qeverisë, përsa kohë nuk është në kompetencën e kësaj gjykate të vendosë për situata të tilla. Në intervistën për Gazetën Si, Fredi Beleri tha se kryeministri e publikoi vendimin e Gjykatës përpara se avokati i tij ta merrte në Sekretarinë e Gjykatës, duke bërë të qartë se kush e kontrollon drejtësinë. 

Gazeta Si: Së fundmi, jeni shfaqur më optimist se zakonisht në raport me qendrimin e kryeministrit Rama për çështjen e drejtimit të Himarës.  Jeni në dijeni të një zgjidhje të butë të situatës, që nuk ju përfshin ju, por respekton vullnetin e zgjedhësve të Himarës?

Fredi Beleri: Faleminderit për hapësirën dhe intervistën tuaj. Në fakt, nuk jam optimist, por dua të shpresoj që gjithë kjo situatë e keqe dhe e paprecedentë deri më sot, të përfundojë sa më shpejt. Më duhet të ngrihem mbi çdo paragjykim timin, që ka ardhur si rezultat i paraburgimit ku jam, sulmeve denigruese të Kryeministrit, pengimit për të lejuar leximin e vullnetit të votuesve në Himarë. Në këtë drejtim, çdo mesazh qytetar apo fjalë e kujdesshme,  ndryshe nga sulmet e të kaluarës, janë rreze shprese për situatën ku ndodhemi të gjithë, shtensionojnë situatën. Në çdo vend të botës, ca më tepër te ne, lufta, sulmet apo paqja dhe fjalë të kryeministrit që shtensionojnë, ndikojnë te të gjithë njerëzit që merren me një problem të caktuar. Siç është zgjatja e paraburgimit tim, zgjatja e

paligjshmërisë në Bashkinë Himarë, sulme të gazetarëve të caktuar, procesi i rregullt ligjor. Ndaj, edhe i burgosur nga Rama, përshëndes ato fjalë të tij që shtensionojnë. Nuk kam dijeni për zgjidhje konkrete, por kuptoj që, nëqoftëse do vërtet të zgjidhë diçka në këtë situatë të jashtëzakonshme te paligjshme, Kryeministri duhet të gjejë një zgjidhje sa më pak të paligjshme që t`i afrohet realitetit zgjedhor në Himarë.

Gazeta Si: Sipas qendrimit të fundit të kryeministrit, është e qartë se zoti Goro nuk duhet të qendrojë për gjatë në drejtim të bashkisë, por çfarë ndodh, nëse kryeministri emëron dikë që nuk ju përfaqëson?

Fredi Beleri: Rama nuk mund të emërojë. Nuk ka ligj qe e lejon Kryeministrin të emërojë Kryetar Bashkie. Neni 61 i ligjit nr.139 të vitit 2015 "Për vetëqeverisjen vendore" i ka parashikuar të gjitha situatat e mundshme kushtetuese dhe ligjore, por nuk ka parashikuar shkeljet e Kushtetutes dhe të ligjeve që sjellin pasojën, ku jemi sot. Neni 61 pika 4, 5 flasin për perfundim mandati para kohe të kryetarit të bashkisë, që kanë si pasojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të pjesshme dhe drejtimin e bashkisë e merr një nga zv/kryetarët e bashkise. Por në rastin konkret nuk jemi para përfundimit para kohe të mandatit të Kryetarit të Bashkisë, pasi Goros i ka përfunduar mandati para 8 muajsh dhe zgjedhjet janë kryer për ta zëvendësuar, është zgjedhur kryetari i ri. Neni 61 pika 6 flet për rastin, kur vendi i kryetarit mbetet vakant 6 muajt e fundit. Në këtë rast, Këshilli i Bashkisë cakton një anëtar të tij. As ky nuk është rasti ynë, pasi, pas gjashtë muajve përsëri duhet të zhvillohen zgjedhje, por në Bashkinë Himarë zgjedhjet janë kryer. Ky është rasti që afron më shumë me realitetin, por përsëri nuk ka mbështetje ligjore.

Gazeta Si: Nëse kryeministri e dëgjon thirrjen tuaj, a mund të quhet i zgjidhur problemi me Greqinë apo veto do të mbahet  deri në përfundimin e gjyqit tuaj?

Fredi Beleri: Unë nuk mund të shprehem për veprimet që do të kryejë Greqia, por nga qëndrimi publik i shtetit grek qartësisht kuptohet se pengesa nuk jam unë, por mosrespektimi i të drejtave dhe lirive të mia si i zgjedhur, si përfaqësues i minoritetit, mosrespektimi i të drejtave të zgjedhësve, banorëve të Himarës, procesi i parregullt ligjor ndaj meje. Këto përbëjnë shqetësim madhor për të gjithë, jo vetëm për Greqinë. Duhet të përbëjnë shqetësim madhor për të gjithë që janë në dijeni të këtij procesi.

Foto e vendimit të Gjykatës që Rama postoi në platformën 'X'

Gazeta Si: Në opinionin tuaj, a shkon përtej kompetencës së GJKKO arsyetimi  se, në pamundësi që ju të bëni betimin, i takon qeverisë të zgjidhë funksionalitetin e Bashkisë Himarë, dhe se administrimi i përkohshëm mund të kryhet nga qeveria qendrore? 

Fredi Beleri: Ishte vendim që të linte pa fjalë. Të martën u dorëzua ankimi ndaj tij. Është vendim antikushtetues. Gjykata nxit veprime antikushtetuese nga ana e qeverisë, duke orientuar rrëmbimin e pushtetit lokal në Himarë. Gjykata ka cënuar parimin e ndarjes së pushteteve dhe të autonomisë vendore, duke nxitur qeverinë qëndrore të ushtrojë pushtet pa zgjedhje në Himarë. Ajo që e bën edhe politike gjykatën është se i dha përgjigje një kërkese të Kryeministrit që nuk është as palë në këtë gjyq dhe publikisht është shprehur se nuk ka lidhje me lejen që kam kërkuar. Palë isha unë me një kërkesë të caktuar për leje të posaçme, duke iu referuar të drejtave që burojnë nga Kushtetuta jonë dhe KEDNJ. Gjykata nuk lexon Kushtetutën dhe KEDNJ, por pa e kërkuar unë zgjidh problemin e Kryeministrit për të mbajtur Bashkinë Himarë duke e konsideruar si në gjendje të jashtëzakonshme këtë Bashki. Ky arsyetim e ekspozoi gjykatën para të gjithëve si totalisht politike. Për më tepër, vendimi u shpall nga Kryeministri në platformën X, ndërkohë që nuk e kishte marrë akoma avokati im, i cili ndodhej në pritje tek sekretaria e gjykatës. Publikimi i një vendimi penal lejohet vetëm me pëlqimin tim, pasi përmban të dhëna personale. Kryeministri nuk lë rast pa shkelur të drejtat e mia.

Foto e vendimit të Gjykatës që Rama postoi në platformën 'X'

Gazeta Si: Ndieni përgjegjësi që çështja juaj është kthyer në një problem aq të madh sa Greqia ka vendosur veton për të mos lejuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim? 

Fredi Beleri: Nuk është përgjegjësia ime pse dhunohen liritë dhe të drejtat e njeriut, që nuk zhvillohet proces i rregullt ligjor, që shkelet prezumimi i pafajësisë për përfaqësuesin e minoritetit, që nuk lejohet të marrë mandatin përfaqësuesi i opozitës dhe minoritetit në zgjedhje. Është e qartë kush është përgjegjësi. Unë jam viktimë si shumë të tjerë, jam në burg prej 8 muajsh përafërsisht. Keq me vjen që Shqipëria dhe Himara janë në ditë të vështira.

Gazeta Si: Kryeministri është shprehur i vendosur të mos negociojë politikisht për çështjen tuaj. Ai ka thënë se “edhe sikur Këshilli Europian të kthehej përmbys, nuk hyjmë në negociata kundër interesit strategjik për ruajtjen e një gjyqësori të pavarur.” Në opinionin tuaj, ka patur SPAK dhe GJKKO apo institucione të tjera të drejtësisë qendrime të paanshme dhe të pandikuara politikisht? 

Fredi Beleri: Siç ju thashë më lart, sidomos ky gjykim që refuzoi lejen, vendimi nr.467 datë 11.12.2023 tregoi plotësisht se gjyqtarët dhe prokurorët që morën pjesë, të paktën në këtë proces, janë totalisht të ndikuar politikisht. Kjo shpjegon dhe shpejtësinë që disa minuta pas daljes së vendimit nga Gjyqtari, para se ta kishte avokati im, Rama e nxori në platformën X duke folur për një vendim të qartë, të shkëlqyer etj etj. Si shpjegohet që Rama del para çdo seance gjyqësore timen dhe flet për drejtësi të pavarur? Kur drejtësia është e pavarur, pse duhet fjala e Kryeministrit? Apo kur flet që provat aty janë? Apo kur foli që si mundet të betohet Beleri, kur ligji s’e lejon? Këto bëjnë që disa nga këta magjistratë që merren me problemet e mia të jenë të ndikuar politikisht ose nën presion. Procesi ndaj meje nuk është i paanshëm. Janë përdorur akte te falsifikuara që prokurorët dhe gjykata nuk duan t’i hetojnë dhe i kanë bërë pjesë të dosjes. Nuk lejohem te njihem me prova ndaj meje. Nuk më lejohen te marr provat, dëshmitarët që kerkoj. Nuk ekzistojnë mjetet e përgjimit, ka vetëm një procesverbal përgjimi. Dëshmitari është paguar nga Policia e Shtetit dhe korruptimi i dëshmitarit përbën krim sipas Kodit Penal.

Gazeta Si: Administrata e burgjeve ka refuzuar çdo kërkesë tuajën për të bërë betimin, qendrim që është pranuar nga gjyqësori, përfshirë dhe arsyetimin e fundit nga GJKKO, të bërë publik nga kryeministri. Çfarë rrezikshmërie përbëni ju që s’ju lejojnë apo thjesht ligji lexohet në mënyrë të ngurtë? 

Fredi Beleri: Kërkesa ime mbështetej në Kushtetutë dhe në ligj. Kushtetuta jonë ka një parim, që është i vetëzbatueshëm. E drejta kushtetuese e zgjedhjes, pjesë e së cilës është edhe marrja e mandatit, nuk ndalohet edhe kur je i paraburgosur. Kështu duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë Kushtetutën burgjet dhe gjykata. Kështu ka ndodhur në raste të tjera. Deputeti Azgan Haklaj ishte në burg për një vepër penale mjaft të rëndë, kur u kandidua dhe në burg u lejua të merrte mandatin e deputetit. Vendimi nr 4. Dt 23.07.2001 i Gjykatës së Lartë per Azgan Haklajn arsyeton qartë që e drejta për t’u zgjedhur nuk pengohet nga masa e sigurimit, por vetëm nga një vendim gjyqësor i formës së prerë. Po ashtu, i është dhënë leje një deputeti tjetër që të marrë pjesë në dy seanca parlamentare, rasti i deputetit Mark Froku. Vendimi nr. 17/5 dt 09.11.2015 i Gjykatës së Lartë e përshkruan këtë situatë. Te gjitha këto raste nuk janë parashikuar në ligjin për të paraburgosurit për leje të veçantë, por Kushtetuta u interpretua gjerësisht dhe e drejta kushtetuese që nuk ndalohej me ligje të tjera, u zbatua. Edhe tek emisioni “Shihemi ne Gjyq”, tek Eni Çobani, në TV Klan, janë shoqëruar të burgosur. Gjykata as foli, as i analizoi fare këto shembuj që i paraqitëm. Lëre pastaj juristi i burgut që është direkt nëpunës dhe nën presion. 

Gazeta Si: Tani që gjyqi në themel po zhvillohet, keni besim se do të dilni i pafajshëm apo besoni se vendimi është paracaktuar? 

Fredi Beleri: Po të shikoni zhvillimin e gjykimit, e kupton sa futesh në sallë që vendimi është dhënë që kur është caktuar ky trup gjykues. Nuk kuptoj pse duhet të jenë kaq shumë të pakujdesshëm që të mos bëjnë as gjoja se po bëjnë gjyq. Lëre pastaj për parimin që drejtesia të behet dhe të duket që bëhet. Nuk bëhet fjalë që jo e jo. Megjithatë dua ta mbyll me një urim: Gëzuar Krishtlindjen dhe festat! Ju falenderoj për intervistën. Suksese medias tuaj, Gazeta Si! 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë