Drejtësia

Akuzohet për blerje votash, GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për përjashtim të gjyqtarëve

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Fredi Belerit për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjoka, me pretendimin se janë treguar të njëanshëm ndaj tij.

Në seancën e kësaj të premteje, u paraqitën 5 dëshmitarë, mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Arsen Ramës.

Dëshmitarët e tjerë ishin banorë të Himarës, të cilët dhanë sqarime se kishin miqësi me Belerin dhe e takonin disa për shkak të fushatës zgjedhore e disa si bashkëqytetar të Himarës.

Avokatët paraqitën kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i Gjykatës së Vlorës dhe ai i prokororisë së të njëjtit qytet. Vetë Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë ku parashtroi disa pretendime.

“Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat. Këto informacione janë të nevojshme një mbrojtje normale. Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti të falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”, - u shpreh kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, mbahet nën masë sigurie arrest në burg për blerje votash për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.

Fredi Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve vendore dhe që prej atëherë vijon të qëndrojë në paraburgim.

Gjithashtu, gjykata nuk e ka lejuar Fredi Belerin as që të betohet si kryebashkiak që fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Himarës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë