Nga Gazeta ‘SI’ – Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.8% në tremujorin e katërt 2023 dhe 3.44% për të gjithë vitin, raporton INSTAT. Rritja vjetore është 1.2 pikë përqindje e një viti më parë.
Aktiviteti ekonomik u stimulua kryesisht nga sektori i argëtimit, lidhur kjo dhe me eventet e fundvitit dhe ndërtimin që mbetet shtyllë e fortë e PBB-së. Shifrat tregojnë se Bujqësia vazhdon të lëngojë, duke humbur peshën e saj në ekonominë e Shqipërisë.
Sipas INSTAT, sektori i argëtimit është rritur me 21.4% nga fundi i 2022-shit në fundin e 2023-shit, ndjekur nga ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet profesionale me rritje respektivisht, 10.8%, 10.3% dhe 10.8%.
Informacioni dhe komunikimi bashkë me administratën publike u rritën me 8.8%, ndërsa aktiviteti financiar dhe sigurimi me 7.5%.
Rënie të fortë raporton sektori i bujqësisë me 3% dhe ai i industrisë, energjisë e ujit me 2%.
Sipas peshës në rritjen e PBB-së, ndërtimi vijon të jetë udhëheqësi kryesor, ndjekur nga administrata.
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1.55%. Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 16.07%. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 5.2%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 15.11%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0.88%
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.