Ekonomi

Ekonomia e Kosovës ngadalësohet, taksa ndaj Serbisë ndikim negativ

Ekonomia e Kosovës i ka ndaluar ritmet e rritjes. Sipas një raporti të Ministrisë së Financave të Kosovës Ekonomia e vendit pavarësisht se ka rritje, po ecën tepër ngadalë.

Teksa në tremujorin e parë në terma realë Ekonomia ka shënuar 4,1 % dhe 6 % në terma nominalë, thuhet në raport, diferenca e shfaqur me tremujorin e mëparshëm dhe të njëjtën periudhë të një viti më parë është e papërfillshme.

Arsyet që nënvizon raporti i Ministrisë së Financave është ndikimi i ekonomisë globale: lufta tregtare mes SHBA dhe Kinës, pasiguria ndaj Brexit dhe çmimet e energjisë. Po ashtu faktori i brendshëm janë eksportet.

Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, është shprehur se ky vit ka qenë i pasuksesshëm ekonomikisht për Kosovën.

Sipas tij, taksa e vendosur nga Kosova ndaj produkteve me origjinë serbe ka pasur një ndikim negativ, pasi që sasia e importit të mallrave nuk është ulur dhe se xhepat e qytetarëve të Kosovës janë prekur direkt nga një vendim i tillë.

Për Gërxhaliun efektet e taksës mund të maten me atë se sa është rritur eksporti i Kosovës dhe nëse sasia e mallrave të importuara është zvogëluar.
Taksa 100 për qind për mallrat serbe është vendosur në fund vitin e 2018-ës nga Qeveria e Ramush Haradinajt, ndërkohë presionet për tërheqjen e një vendimi të tillë kanë qenë të mëdha.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve serbë, si pasojë e taksës Serbia është duke humbur dhjetëra miliona euro.

Sipas zyrtarëve serbë, nga 21 nëntori i vitit të kaluar deri më 8 gusht, për 261 ditë, janë dërguar më pak mallra në Kosovë në vlerën prej 280.800.000 eurosh. Kjo do të thotë se në ditë dërgohen më pak mallra në Kosovë për 1.075.000 euro. Në të njëjtën periudhë kur nuk ka pasur taksë në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë 440 milionë euro. Vlerësimet janë se këtë viti do të shkonte edhe në 500 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë