Ekonomi

“Ekonomia e Bullgarisë do të vazhdojë të rimëkëmbet nëse kufizimet e Covid-19 nuk shtrëngohen më tej”

Ekonomia e Bullgarisë pritet të vazhdojë rimëkëmbjen në tremujorin e fundit të vitit 2020 dhe në tremujorin e parë të 2021 me kusht që kufizimet anti-koronavirus të mos shtrëngohen më tej, tha Banka Qendrore.

"Nëse do të marrim të mirëqenë skenarin se nuk do të ketë rritje të numrit të njerëzve të infektuar me COVID-19 dhe nuk do të ketë gjithashtu shtrëngim të mëtejshëm të masave anti-epidemi, që do të nxisin familjet dhe kompanitë të rrisin kursimet, në tremujorin e katërt të vitit 2020 dhe tremujorin e parë të 2021 pritet të vazhdojë prirja drejt një rikuperimi në aktivitetin ekonomik, "tha Banka Kombëtare Bullgare (BNB) në një përmbledhje ekonomike tremujore të botuar të Martën.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i vendit, megjithatë pritet të mbetet nën nivelin e tij para-pandemik në periudhën e rishikimit, vuri në dukje Banka Qendrore.

PBB e Bullgarisë ra me 5.2%  në terma vjetorë në tremujorin e tretë të këtij viti, pas një rënie prej 8.6% në tremujorin e dytë dhe u rrit 4.3% në bazë tremujori, pas një rënieje prej 10.1% në tremujorin e mëparshëm, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave.

Në edicionin e mëparshëm të studimit të saj tremujor, Banka Qendrore tha se pret që ekonomia e vendit të tkurret me 5.5% në terma vjetorë në 2020, përpara se të zgjerohet me 4% vitin e ardhshëm.

Në fund të muajit të kaluar, qeveria miratoi një zgjatje të gjendjes së emergjencës shëndetësore deri në fund të Janarit 2021. Duke filluar nga 27 Nëntori, të gjitha restorantet, palestrat, qendrat tregtare dhe kazinotë janë mbyllur, teksa po ashtu është pezulluar frekuentimi i universiteteve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Masat pritet të lehtësohen që nga 21 dhjetori.

Inflacioni pritet të ngadalësohet më tej, në tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me gushtin, përpara se të rritet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, tha banka qendrore.

"Në kontekstin e uljes së çmimeve të naftës me bazë vjetore, produktet e energjisë pritet të kenë kontributin më të madh negativ në inflacionin e përgjithshëm," vuri në dukje Banka Qendrore e Bullgarisë.

Sipas institucionit financiar, inflacioni bazë pritet të rritet gradualisht në fillim të vitit 2021, duke reflektuar rimëkëmbjen e vazhdueshme të konsumit privat.

Në përputhje me të dhënat nga mjedisi ndërkombëtar, (rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik global), shkalla vjetore e rënies së kërkesës së jashtme për mallra dhe shërbime bullgare pritet të moderohet në fund të vitit 2020 dhe në fillim të vitit 2021, tha Banka Qendrore gjithashtu.

Parashikimi për kërkesën e jashtme bazohet në skenarin e një rritje të mundshme të rasteve të reja të koronavirusit globalisht dhe në Bullgari në tremujorin e katërt të vitit 2020 dhe tremujorin e parë të vitit 2021 përmes masave të kontrollit që nuk do të kishin një efekt të tillë negativ si masat e aplikuara në gjysmën e parë e vitit 2020, shpjegoi BNB.

"Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2020 dhe tremujorit të parë të vitit 2021 ne presim që gjenerimi i kursimeve paraprake nga agjentët ekonomikë të vazhdojë të rrisë normën relativisht të lartë të rritjes së depozitave të sistemit bankar, ndërsa pritet që rritja vjetore e kredive për sektorin joqeveritar të moderohet më tej ", tha BNB gjithashtu. /Burimi:Seenews/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë