Futboll

Ekologjisti Houedes: Lojtarët duan super makinat, jo klimën

Ndryshim mentaliteti. Benedikt Houedes kërkon më shumë përgjegjësi nga kolegët e tij futbollistë, kërkon sensibilizim për të nesërmen, sensibilizim për ambientin. “Disa mendojnë se sa më shumë kuaj fuqi ka makina që ata kanë, po aq të fuqishëm janë edhe ata në fushë”, - tregon mbrojtësi gjerman i Lokomotivës së Moskës për “t-online”.

Ai është krejtësisht kundër rrymës dhe kjo e bën të veçantë. Lojtari që pati një aventurë edhe te Juventusi në sezonin 2017-2018, nuk e duron dot materializmin. “I kushtojnë rëndësi motorit të makinës, në mënyrë që të bien në sy kur futen në qendrën sportive. Për shumë futbollistë kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Ata kanë super makina, kurse për klimën mendojnë shumë pak. Për këtë them se edhe ne duhet të ndryshojmë mentalitet”. Houedes tregon më tej mjetin e tij të transportit: “Unë dhe bashkëshortja ime përdorim biçikletat. Janë të shpejta dhe praktike. Edhe problemi i parkimit është i zgjidhur”.

Benedikt Haoedes me fanellën e Lokomotiv Moskës. Gazeta Si, 25 shtator 2019

Që është një djalë i përulur, Houedes e ka treguar gjithmonë. Ai është i bindur se paratë që fiton si futbollist nuk ndikojnë në mënyrën e jetesës së tij. “Nuk e duroj dot kur hedhin euro nga dritarja, është diçka që më nervozon shumë, - ka rrëfyer më parë në një intervistë për “Die Welt”. – Me të ardhurat e para që kisha kursyer, shumë vite më parë, bleva një Audi S5, për të cilën shpenzova shumë. Pasi kaloi një javë, më dukej një barrë ajo makinë dhe nuk e përdora më. Më dukej një shpërdorim parash”. Më mirë një xhiro me biçikletë dhe ambienti falënderon…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë