Kosova

Ejup Maqedonci zëvendëson Mehajn në Ministrinë e Mbrojtjes

Koloneli Ejup Maqedonci, më 8 gusht ka marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes, pas dorëheqjes së Armend Mehajt nga ky post.

Maqedonci e ka konfirmuar vetë këtë lajm për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë edhe Armend Mehaj ka konfirmuar dorëheqjen e tij nga ky post përmes një postimi në Facebook. Ai ka përmendur arsyet familjare për dorëheqjen e tij nga posti i ministrit të Mbrojtjes.

Mehaj ka thënë se dorëheqjen e tij e ka pranuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Mehaj përmendi disa prej arritjeve që tha se janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai tha se gjatë mandatit të tij kanë ndodhur disa arritje, sikurse dyfishimi i buxhetit për këtë dikaster nga 64 milionë në 123 milionë, rekrutimi i mbi 1.800 ushtarëve të rinj, dërgimi i ushtarëve dhe oficerëve në trajnime dhe shkollime në akademi ushtarake në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi e vende të tjera.

Mehaj si arritje përmendi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimet e NATO-s, “Defender Europe 2021”.

“Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”, theksoi Mehaj.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi Mehajn për punën në Ministrinë e Mbrojtjes.

"Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë", shkroi Kurti në Facebook.

Kush është ministri i ri i Mbrojtjes?

Ejup Maqedonci doli në pension të parakohshëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës në korrik të këtij viti. Ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit.

Më pas si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ka shërbyer për një dekadë si komandant i batalionit për kërkim-shpëtim.

Maqedonci më pas ka vazhduar detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Pas pensionimit, Mehaj i ka ndarë Maqedoncit “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

Ndryshe, Armend Mehaj kishte ardhur nga Norvegjia për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në mars të vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë