Kombetarja

Egzon Binaku, “basti” i fituar nga Panuçi

I ndikuar shumë edhe nga rrethanat, trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, hodhi në fushë ndaj Izraelit jo pak lojtarë të rinj, duke thyer në një farë mënyre edhe parashikimet. Binaku, Gavazaj dhe Guri luajtën të tre nga minuta e parë dhe sigurisht që të gjithëve u ra në sy loja e mirë e mbrojtësit të krahut të majtë. 23-vjevcari i Malmoes në kampionatin suedez, Egzon Binaku, luajti ndeshjen e parë për fanellën kuqezi, por në fushë dukej sikur kishte vite që e mbante veshur atë. Më në fund, duket se është zgjidhur edhe problemi i pasuesit të Ansi Agollit, i grumbulluar nga trajneri italian për këto dy ndeshje.

Egzon Binaku ka marrë vlerësime maksimale nga të gjithë pas ndeshjes, pasi manifestoi një pjekuri loje për t’u admiruar gjatë gjithë ndeshjes. Mjaft interesant në lojën sulmuese, duke u gjendur gjithmonë në vendin e duhur dhe i saktë në pasime. Ndoshta duhet të përmirësojë lojën mbrojtëse, por tani trajneri Panuçi mund ta rrijë i qetë, pasi e ka fituar bastin e tij me këtë lojtar. Mund të mos ketë shpejtësinë e Agollit të viteve të mëparshme, por është më i fortë fizikisht. Një element i fituar nga kuqezinjtë, ndërkohë që mosha e tij e re të bën të mendosh se ai mund ta rritë nivelin e tij në të ardhmen. Binaku është thirrur edhe më parë nga trajneri i kuqezinjve, por një dëmtim e kishte shtyrë debutimin e tij me Shqipërinë.

Kuqezinjtë festojnë golin e fitores ndaj Izraelit

Ishte Binaku një nga gjërat më të bukura të ndeshjes me Izraelin, pas së cilës ai ka marrë vlerësime nga trajneri Panuci për lojën, por edhe nga specialistët e futbollit në vend. Bashkë me Elseid Hysajn në të djathtë dhe Berat Gjimshitin dhe Frederik Veselin në qendër, Binaku formon një katërshe të re në moshë, që me siguri do të jetë më solide në ndeshjet e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë