Ekspozite

Edicioni i parë i Bienales së Grafikës, Tirana mirëpret mjeshtrit botërorë

Nga Gazeta Si - 470 artistë nga 46 vende të botës do të bëhen bashkë në Bienalen e parë të Grafikës në Tiranë, e cila do të hapet më 25 tetor në Galerinë e Tiranës.

Grafika është në qendër të bienales ndërkombëtare, e cila realizohet për herë të parë në Tiranë me artistë nga vende të ndryshme të botës, duke filluar nga India, Afrika, Peruja, Kanadaja, Kina, Egjipti, Shqipëria e vendet fqinje.

Në Galerinë e Tiranës po punohet për të vendosur punët që kanë mbërritur nga 46 vende të botës. Në këtë Bienale do të pasqyrohet gjithçka, që nga natyra, nudizmi, por edhe abstraksioni.

Realizmi i një bienaleje të tillë për grafistin Abaz Hado, njëkohësisht kuratori është një nga momentet më të bukura të artit pamor në vendin tonë.

“Me këtë event Tirana bëhet pjesë e rrjetit të kryeqyteteve të botës. Është një sipërmarrje me përmasa botërore, pasi përfshihen gjithë kontinentet. Janë mbi 390 grafika nga artistë të huaj dhe 75 nga Shqipëria. Kryesisht kemi artistë të njohur shqiptar dhe një numër të madh të rinjsh”, shprehet Hado për Gazetën “Si”.

Ideatori dhe kuratori i Bienales, Abaz Hado

Veprat pjesëmarrëse që prezantohen nën moton “Jeto kohën” paraqesin larmi teknikash dhe tematikash, që nga lufta në Ukrainë, pandemia, por pa lënë mënjanë edhe poetizmin e nudove si dhe problematikat sociale e natyrore, të para përmes syrit të tyre artistik.

“Koncepti ynë ka qenë ‘Jeto kohën’. Raporti i artistit me kohën që këto vite ka qenë dhe vazhdon të jetë me shumë probleme, duke nisur nga lufta në Ukrainë, pandemia, kriza ekonomike etj”, vijon më tej ideatori dhe kuratori Hado për Gazetën “Si”.

Një hapësirë në këtë Bienale do të zënë edhe punimet e artistëve të rinj.

“Sigurisht ne nuk lëmë pa afruar edhe grafistët e rinj. Janë 75 artistë shqiptarë që marrin pjesë. Gjatë kohës që do jetë e hapur ne do të kemi edhe takime me studentë”.

Një pjesë e madhe e punimeve të artistëve do të mbeten në Tiranë, të cilat më vonë do të shërbejnë për krijimin e Muzeut Grafik Botëror në Shqipëri.

“Pas Bienales do na mbetet në fondin tonë gati gjysma e punimeve sepse ato kanë pranuar që t’ia durojnë galerisë, e cila me këto vepra do të ngrejë muzeun e parë të artit të grafikës botërore”.

I konceptuar edhe si konkurs mes artistëve, pjesëmarrësit do të vlerësohen me çmime për punët më të mira. Në këtë edicion të parë në Tiranë do të jepen 3 çmime.

“Ky është konkurs dhe juria po punon dhe do shpallë fituesit. Çmimet përfshijnë çmimin e parë, të dytë dhe të tretë që kanë dhe një vlerë monetare dhe pastaj çmimet Honour që janë 10 më të mirët si dhe për të rinjtë”, përfundon Hado.

Çelja e “Bienales së Grafikës” do të bëhet më datë 25 tetor në Galerinë e Artit Tiranë.

Bienalja e Grafikës do të kthehet në traditë, duke u realizuar një herë në dy vite në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë