Podcast

Edhe turizmi është KÇK

Sabina Veizaj - Një ditë përpara Samitit Ndërkombëtar të Turizmit Kliton Gërxhani zv. Kryetar i “Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike” do të shprehte shqetësimin se të huajt po anulojnë udhëtimet e pushimet në Shqipëri për shkak të frikës nga pasojat e tërmetit.

Si ka performuar sektori i turizmit përpara tërmetit

2018 ishte viti më i mirë për turizmin. Kanë qenë edhe faktorë të jashtëm, por edhe rritja mbërriti kulmin në 2018-ën. Viti që kaloi nuk ishte si 2018-ta, për shkak edhe të zgjedhjeve lokale që bëhen në sezonin e turizmit që është e gabuar. Kemi kërkuar përherë të ndryshohet, por nuk kemi arritur.

Ky ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi negativisht në ritmin e rritjes.

Kapakun e keq ia dha tërmeti.

Pa arritur tek tërmeti. Cilat janë problematikat që kërkojnë zgjidhje?

Problematikat kryesore mbeten të njëjtat; standartizmi i tregut që është më e madhja. Ritmi i rritjes së turizmit na ka gjetur të papërgatitur. Nuk jemi gati ta presim siç duhet një ritëm më të madh rritjeje, një fluks më të madh numrash.

Si numër, mund të jetë numri i pesë viteve më parë, por kur ti rritesh me 10-15 % çdo vit (numrat e turistëve, jo hyrje-daljet) pastaj patjetër që nuk mund ti presësh me të njëjtin kapacitet profesional, duhet të trajnohesh. Duhet të shtosh kapacitetet, ti marrësh njerëzit nga hiçi, ti trajnosh. Jo ti, por të ngrihen shkolla profesionale, që nuk i kemi.

Sa më shumë të shtojmë numrin e turistëve ( sepse kjo është ajo dalldia që ka kapur ministrin, qeverinë që të kapin 10 mln), duhet të ketë një armatë mbrapa sepse nuk është njësoj si 3 mln, 5 mln dhe 10 mln njerëz që bujtin në struktura akomoduese.

Po të shkosh në shifra të tilla duhet të jesh gati të shtosh strukturat pritëse: njësitë akomoduese. Më shumë guida, më shumë transport turistik, më shumë tur operatorë, që të përballojnë fluksin në rritje sepse çdo kush ka një kapacitet që i mbushet.

Po u shtuan më shumë njerëz në këtë sektor, duhet të dalin nga “një fabrikë” që ka një standard të caktuar të përafërt me rajonin, nuk po them europian edhe pse duhet të ishte europian.

Jo çdo kush që ka para dhe ka dëgjuar që po vijnë turistë mund të bëj një tur operator. Ai ndërkohë është shofer, mjek, etj. Nuk mund ta bëjë.

Nëse privati nuk e sheh rentabël çeljen e një institucioni të lartë arsimor në turizëm, sepse është tentuar dhe në fund të vitit 5 veta diplomoheshin ndërkohë që sektori kërkon 80 mijë veta direkt. 1 në 4 të punësuar në Shqipëri janë të punësuar direkt dhe indirekt nga sektori i turizmit. Kjo është një shifër e jashtëzakonshme.

Praktikisht nëse ne lëvizim një tur, lëviz një zinxhir i tërë biznesesh që i shërbejnë këtij turi, këtij grupi njerëzish. ( Restoranti do blejë ushqimet, deteregjentët. Transporti do të blejë naftën, etj). Nëse ne nuk lëvizim, nuk lëvizin as ata.

Edhe bizneset mbështetëse të sektorit do të rrisin numrin e të punësuarve nëse do rriten turistët.

Sezonal është, po. Ndrësa rrinte në kafe, tani merr një rrogë dhe aftësohet. Mund të mendojmë edhe se si ta shtrijmë sezonalitetin. Ja që bie dëborë e kemi nevojë edhe për ski, por nuk kemi investime të tilla e shkojmë përsëri tek fqinjët.

Ka forma; mund të mendojmë për turizmin e konferencave, seminareve, panaireve. Ka shumë potencial, por nuk flitet. Flitet vetëm për “smile Albania” , buzëqesh sa më shumë, se hallet i keni ju.

Kujt i faturohet kjo situatë e mungesës së standarteve të sektorit që rrjedhimisht e bëjnë të pakonkurrueshme në rajon?

Mungesa e bashkëpunimitë të shtetit me privatin.

Në përgjithësi, përveç Ministrisë së Kulturës me të cilën kemi gjetur realisht një bashkëpunim shumë pozitiv dhe interesant, një model për tu ndjekur nga ministritë e tjera, ( që nuk është kështu me ministrnë e turizmit, është e kundërta), ministritë e tjera kthejnë përgjigje formale duke ia faturuar kuadrit ligjor që nuk është i plotësuar. Pretendojnë se gjërat janë ok, përkundrazi.

Me Ministrinë e Kulturës po arrijmë një tjetër marrëveshje për grupet që vizitojnë saitet kulturore.

Kemi arritur nga një propozim i tyre që biletat të kishin çmim preferencial për grupet turistike mbi 30 veta, arritëm të binim dakord që grupi të kishte 12 veta për të përfituar çmim preferencial.

Tani jemi në negociata me Ministrinë e Kulturës për rritjen e çmimeve që ata propozuan në muajin tetor. Do bëhej një rritje e konsiderueshme dhe duhet pranuar që kishte ardhur koha që kjo do të ndodhte sepse shumë muze janë me 100 lekë, 1 euro. Ti nuk mund të vizitosh Muzeun Kombëtar me 1, 3 euro. Në sezon të lartë ne i kërkojmë shtetit që të rrinë edhe me orar të zgjatur, edhe në ditët e pushimit. Na e kanë pranuar, por janë kosto që i paguan buxheti i shtetit.

Pra është normale rritja, por ne kërkuam që të mos rritej për këtë sezon sepse ne i kemi bërë publike çmimet për 2020-ën herët dhe do të ishte kosto deri në mijëra euro për bizneset e sektorit të turizmit.

Madje disa rrezikonin edhe falimentin.

Nëse do të ishin rritur, ne do të paguanim nga xhepi. Sepse ata që vijnë me krocera flasin për mijëra turistë që vizitojnë parqet arkeologjike, muzetë.

Kjo u mirëkuptua dhe u bë një rritje minimale e biletave dhe të konsideroheshin disa elementë të tjerë.

Tanimë 10 saitet më me peshë i shesin biletat on line. U bë një investim i Ministrisë së Kulturës me ADF-në. Kjo shmang edhe radhën. Ne na ndihmon shumë sepse formalizon marrëdhënien me këto saite. Kompania që ka marrë përsipër menaxhimin, na jep faturën dhe ne na njihen si shpenzime. Shmang edhe formalitetin.

Këtë bashkëpunim presim nga të gjitha ministritë e linjës.

Kemi kërkuar ndryshimin e ligjit nuk është bërë.

Pse keni kërkuar ndryshime në ligj? Çfarë nuk parashikon ligji aktual që nuk lejon zhvillimin e sektorit?

Çfarëdo që ne kërkojmë, thonë se nuk parashikohet në ligj. Psh. ne kërkojmë të ndahen tur operatorët në incoming dhe outgoing (hyrës dhe dalës) me dy licenca, një licencë që është bazike, që e ka siguracionin më të lehtë dhe një licencë që i përmban të dyja, që merr përsipër më shumë risk, do të sigurohet me më shumë ndaj një kompanie sigurimi. Ka barrë fiskale më të madhe dhe jo çdo kush mund ta bëjë këtë gjë; ti marrë përsipër njerëzit e ti lërë rrugë duke iu thënë falimentova, siç edhe ka ndodhur.

Kemi kërkuar gjithashtu të bëhet një grupim i tur operatorëve të interesit të veçantë, ata që merren me natyrën, turizmin e aventurës që kanë një risk më të madh. Jo çdo kush mund ta bëjë këtë gjë. Çdo kush të jetë i kualifikuar dhe të ketë një mbulim të madh risku.

Edhe transporti turistik të jetë më i kualifikuar. Jo çdokush mund të bëjë transport turistik. Të ketë një standard të caktuar si mjetet, shoferët, të sigurohet ndaj aksidenteve dhe jo të jetë barrë e turoperatorit. Kjo gjë të bëhet me restorantet turistike, guidat, etj.

Kemi kërkuar edhe për shtetin të ketë ndryshime sepse nuk ka një buxhet turizmi. Taksa që na merret të investohet në turizëm.

Është shumë problematike marrëdhënia me Agjencinë Kombëtare të Turizmit.

Ka një kaos në lidhje me panairet; nuk ka një standard në cilët panaire duhet të marrim pjesë, nuk ka një vizion, një strategji se çfarë tregu duhet të hapim. Nuk ka një set rregullash se kush duhet të marrë pjesë në panaire dhe si duhet të sillet kur shkohet në panaire.

Një rregullore ministri është kjo. E ka ministri në tavolinë, pro nuk e di pse nuk po e firmosë. Është një prezencë mediokre në panaire, më të kwqijat e rajonit.

Ne kemi disa vite që nuk kemi bërë një video promovuese turistike për vendin. Kishim një video vjet që nuk u mor vesh autorësia; një herë tha ministria nuk e kemi bërë ne, pastaj doli e promovoi ministri. Një film i vdekur që thoshte “Eja Liam se nuk jemi kriminelë”. Ky ishte mesazhi.

Ndërkohë që mendoj se kemi pasur më sukses me videon e transmetuar në CNN “Mediterranean love” që të paktën në mënyrë klasike shfaqte bukuritë natyrore të vendit.    

Duam të bëjmë kopjacin e keq, siç ka bërë Kroacia me agjentin 007, ne kemi marrë të kundërtën. Se në atë film për ne është folur keq. I ngjalli njërëzve një emocion negativ, që shumë prej tyre nuk e dinin që ekzistonte një film i tillë. Kaq naive dhe amatore po bëhet kjo gjë, pasi nuk bashkëpunohet me sektorin privat ngase nuk pranojnë edhe këto kritika profesionale.

Nuk kemi një set promocional sot që tia japësh edhe medieve të huaja.

Kjo është problematikë, mungesa e komunikimit me Minsitrinë e Turimzit. Është një Komitet Këshillimor pranë Ministrit që duhet të mblidhet. Është mbledhur gjithë kohës. Ministri aktual është i vetmi që nuk e ka mbledhur sepse nuk ka një rregullore të bërë publike.

Kam qenë prej 10 vitesh anëtar i këtij komiteti. Një herë në tre muaj ka qenë me ligj, por kur ka qenë e nevojshme edhe çdo muaj jemi mbledhur në zyrën e ministrit. Nuk është detyruese ajo çfarë themi, por të paktën bisedojmë në zyrë, jo në kafe e restorant e as në facebook.

Çfarë i shkaktoi tërmeti turizmit?

Tërmeti zgjoi nga gjumi joshjen, atë  vetëkënaqësinë deri në sheqerosje me sukseset e mëdha, nga të papriturat të zonave të keq ndërtuara që tërë kohën i kemi kritikuar dhe jam i bindur që edhe ata që kanë hedhur lekët aty janë të bindur që e pranojnë në zona si Golemi. Prandaj ka dalë edhe termi që nuk do të bëjmë një “Golemizim” të dytë, por që u bë edhe në Sarandë. Janë dy polet më të keq bëra nga ana e ndërtimeve pa asnjë lloj plani. Unë do të thoja që janë bërë me dashje, me burime financiare të dyshimta. Janë hedhur lekë pa fund nga individë që nuk kanë lidhje me sektorin e ndërtimit për të marrë lekë të shpejta dhe për tu larguar.

Nga një plazh që ishte me 45 ditë, falë tregut kosovar, që edhe pjesa cilësore e tyre, ata me më shumë të ardhura po largoheshin drejt jugut, ia lanë Durrësin tregut buxhetor, shtresës me më pak mundësi; shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Ky lloj standardi u katandis. Nuk  kishte një qeveri të thoshte; do ta hedh në tokë, do të bëj ndryshim radikal. Kjo kërkonte shumë fonde sepse më e pakta do duhej të dëmshpërbleje pronarët e ligjshëm të tokave. Këtë gjë e ka bërë Spanja e vende të tjera; që zona jo rentabël i ka hedhur në tokë dhe ka rindërtuar me standarde.

U tha nga kjo qeveri që do të ndërhyet fort në Golem, por nuk u bë. Sepse erdhi trendi i ri i ndryshimit të tregut sepse u mbyll Afrika E Veriut prej revolucionit në atë kohë, Turqia pati probleme, tregu i lirë i Europës Lindore zbuloi që Kroacia është shumë e shtrenjtë, Mali i Zi shumë i vogël, Greqia prapë e shtrenjtë dhe e zënë, zbuluan Shqipërinë dhe bënë kompromis; kafshuan gjuhën për cilësinë kundrejt çmimit që morën në Golem e Durrës për shkak edhe të aeroportit afër.

Kjo bëri të rritej “sasia e ujit” dhe problemet i futi nën ujë.

Njerëzit thanë; nuk është koha për të folur, por të mbledhim para sa mbledhim. Ne jemi vërtet kap çfarë të kapësh. Por kjo për mua është dritëshkurtësi. Nëse do të bjerë uji dhe ne do të jemi më keq se ç’ishim, do të kemi një dëm më të madh. Me ato lekë që kemi kapur, do të na duhen më shumë lekë për ta rigjallëruar këtë destinacion. Të kishim punuar gradualisht dhe, edhe me këtë fluks, të përmirësonim infrastrukturën. Mund ta rikthenim kurbën e jetës së këtij produkti të Golemit, Durrësit edhe të Vlorës se edhe aty po ndërtohet jo pak.

Janë bërë pako gjëra. Edhe investimet janë bërë nga vetë bizneset si ndriçimi. Është skandal që nuk ka një rrugë sekondare për gjithë atë fluks turistësh. Nëse ky destionacion sjellë 1 mln turistë, pse nuk investon për standarde?

Nëse vijnë 3 çartera dhe janë 10 autobusë njëri-pas tjetrit, në atë rrugë sekondare kalon tek koshi i plehrave, ka 7 pika karburanti, kthesa 90 gradë është e fortë, as e shtruar, ka tym sepse aty është një parkim në baltë. Nëse bie zjarr ku do hyjë e do dalë zjarrfikësja, nëse pëson dikush atak, si do hyjë ambulanca teksa presin 10 autobusë me turistë? Flasim për sezon të lartë, nëse ndodh tërmeti çfarë do bëhet? Sa i përgatitur je ti? A e dimë që dëmtohemi shumë? Zona është e tëra problematike sepse nuk është standardizuar. U fol që do bëhej një by pass në Rrogozhinë. Duhet një rrugë dedikuar për Golemin, për këtë fluks gjigant turistësh.

Ka qenë një nga destinacionet më të bukur dhe të synuar në çdo kohë. Shkomim me tren e biçikletë. Më duket sikur na paguan njeri për ta shkatërruar.

Tërmeti nxori pikërisht këtë problematikë; që disa hotele u thërrmuan si pluhur. Ne nuk e dinim që ato ishin bërë prej pluhuri. Mund të ishte kushdo nga ne aty duke ngrënë një drekë apo duke fjetur. Pse nuk i kishte vënë shteti shiritin? 7 ishin të tillë, të tjerë u dëmtuan, u shtrembëruan. Këta nuk duhet të operonin në treg. Çfarë kërkuam ne si ATOA? Nuk duhet ta lëmë me shpresën se nuk do të ndodhë më. Ja ra sërish? Turizmin tërmeti e favorizoi, i dha një shok për ta tundur sepse nuk jemi gjëkundi. Ne e dimë që ajo është zonë sizmike. Më mirë 10 apartamente ose hotele, të jenë të certifikuar nga ana sizmike se sa qindra që shtypen edhe me dorë.

Ne kërkuam që të bëhej urgjent një certifikim sizmik i çdo strukture pritëse, kush nuk i plotëson parametrat të investojë, ata që nuk bëjnë fare të mbyllen e tu vihet dinamitin.

Po të ishte bërë në kohë të qeta, do ishin filtruar shumë biznese. Ne sot e kësaj dite kërkojmë klasifikimin me yje dhe nuk e bën ministrija. Nuk ka përgjigje llogjike racionale pse nuk e bën.

A është bërë certifikimi sizmik aktualisht kur flasim?

Jo, nuk është bërë. Ne e kemi kërkuar të bëhet nga institucione ndërkombëtare. Kjo duhej diskutuar në samit, që nuk u përmend fare.

“Ne kemi marrë këtë institucion ndërkombëtar, e ka kontraktuar qeveria shqiptare, jo privati vetë. Qeveria shqiptare ka akorduar këtë fond për të skanuar gjithë zonën”, por kjo nuk ndodhi.

Siç tha një zonjë nga Italia; 50 km nga epiqendra e tërmetit do skanojmë çdo sait arkeologjik. Do identifikohen problematikat dhe do të investohet për riparimet sepse nesër mund ti bjerë turistit në kokë një objekt i dëmtuar.  Kështu duhet të bëhet me hotelet.

Edhe ambasadorja greke, ndër të tjera tha se ne kemi patur problematika; krizën ekonomike, krizën e refugjatëve në ishuj , për çdo rast ata kanë ndërtuar komitetin e emergjencës pranë Ministrisë së Turizmit që është marrë me çdo problematikë në lidhje me turizmin duke u akorduar ndihma bizneseve.

Këtë kemi kërkuar edhe ne, që bizneset e prekura nga tërmeti të lehtësohen nga taksat për një vit. Ka mundësi ti japësh edhe një grant të bëjë rindërtimin që të mos i fshehë problematikat duke suvatuar?

Nëse duhej një samit, duhet të ishte për donacione, jo për reklamë.

Si e pe ti këtë samit? Sipas teje arriti diçka konkrete?

Një samit të tillë do ta preferoja me pjesëmarrjen e donatorëve si Banka Botërore, FMN, organizata të huaja. Në këtë drejtim duhej të bëhej samiti urgjent i janarit, por nëse bëhet për PR; ejani ju se nuk ka ndodhur asgjë, kjo është gjëja më e rëndë. Duhet të jemi të paktën të sinqertë me veten. Nuk mund tia hedhim vetes tonë e të themi nuk ka ndodhur asgjë. Ti dalim të vërtetës përballë edhe sikur të mos hapet fare sezoni, të mos vijë asnjë turistë. Të mendojmë për të ardhmen.

Ai samiti djeshëm ishte samit PR në rang zëvendës ministrash. Thanë të njëjtën gjë nga eksperienca e tyre që kanë ngritur komitete emergjencash për të qenë të përgatitur. Ngrije pse nuk e ngre që ta kesh për çdo rast, por e mbyll me një smile Albania.

Po nuk ngrite këtë, të tjerat janë fazadë. Ke ngritur Ministrinë e Ridnërtimit, por nuk do të jetë permanente.

Nuk mund ti kërkosh njerëzve të vijnë këtu e të shprehin keqardhje. Thonë të gjithë të njëjtën gjë bajate “që jemi treguar mikpritës”. E dimë, madje jo ne. Duhet të përmendim emrat e atyre hoteleve që hapën dyert sepse jo të gjithë e bënë burrin e Shqipërisë sepse hoteli ngjitur nuk e bëri. Shumë u fshehën. Kë pritëm? Shqiptarët, jo të huajt.

Këtu fillon e mbaron tek mikpritja? Kjo iku. Çfarë ka paskëtaj?

Ne i pritëm për hall, por turisti nuk të vjen për hall, por për qef. Ne kemi pasur anullime, ai thotë jemi gati për sezonin 2020.

Unë kam dy austriak tani së fundmi që kanë anulluar pushimet në Shqipëri. Çfarë bëhet? Bëhen certifikimet, pastaj promovimi në mediet e huaja përmes ambasadave, turistët e atyre vendeve që kanë shfaqur frikë dhe skepticizëm për të ardhur në Shqipëri.

Të bëjmë listën e hoteleve që janë në rregull pas certifikimit sizmik ndërkombëtar.

Si mund të mbajmë përgjegjësi ti themi turistit që vjen për qejf që nuk ka ndodhur asgjë, kur ne vetë për gati një muaj rresht ishim në panik nga lëkundjet dhe shihnim aplikacionin çdo moment?

Ka anulime në masë?

Masën nuk e gjejmë dot sepse jo gjithkush të thotë pse nuk të zgjedh. Ka anulime, por ka edhe moszgjedhje. Nga katalogët që kemi dërguar tek partnerët tanë jashtë, nuk po e zgjedhin Shqipërinë. Nuk po shitet.

Unë nuk dua ta fitoj bastin për një sezon të varfër 2020. Mua më dhemb që nuk po e marrim situatën seriozisht. Po i fshihemi të vërtetës. Nuk po më dhëbmë më shumë me qeverinë sepse këtë shtet kemi ditur të ndërtojmë tërë kohës, por më dhemb me biznesin që thotë jemi të pafuqishëm ti bëjmë ballë shtetit.

A jemi gati të presim turistë për sezonin 2020?

Ku e nxorre ti si qeveri që jemi gati për sezonin e ri turistik? Si nuk bëka diferencë për ty një vend i prekur nga një tërmet 6.4 ballë dhe një vend që nuk ishte i prekur nga një tërmet.

Çfarë ke bërë ti si shtet? Më e shumta ke hequr rrënojat, nëse e ke bërë edhe atë.

Mbas kësaj nuk ke bërë asgjë. Si qenke gati? Nuk je gati fare. A do ketë efekt? Mos humb ditët për ndërhyrje sepse sa më shumë të vonohesh, aq më shumë do të ketë pasoja negative më mbrapa.

Nuk themi që çdo njësi akomoduese ka probleme. Duhet të kuptojmë që edhe njësia më e fortë në Golem, psikologjikisht nëse nuk e vendos çertifikatën tek dera që është e certifikuar nga shteti, nuk ia thua dot ndryshe turistit të huaj që je gati.

Bizneset që e dinë që kanë ndërtuar strukturë të qëndrueshme duhet të jenë të parët që të kërkojnë certifikimin. Këtë po përpiqemi të bëjmë.  Bizneset thonë se janë të pafuqishëm, por ka edhe nga ata që thonë se u bë. Mendojnë se ata njerëz që vajtën me çekiçë duke e gjuajtur godinën nga jashtë tre herë, kaq ishte.

A është bërë rivlerësim dëmesh për humbjet e biznesit të turizmit?

Jo, nuk është bërë. Por ka një problem që një pjesë nuk kanë qenë të ligjëruar, të siguruar. Kujt tia kërkojnë dëmshpërblimin? Ky është kaosi në total.

Kjo kategori do marrë nga fitimet e tyre dhe do rindërtojnë duke mbyllur gojën sepse janë në informalitet; diku kanë bërë evazion fiskal, diku nuk kanë licencat në rregull, diku shteti thotë mos fol se të godas. Nuk është kjo rruga që duhet të ndjekim. Më mirë të hapim letrat dhe të vendosim standardet.

Si e parashikon turizmin në 2020-ën?

Them që duhet të ketë impakt, masa duhet parë. Nëse shteti nuk ndërhyn, do të kemi shumë probleme. Nëse shteti nuk bën certifikimin ndërkombëtar dhe standardizimin e hoteleve na bën realisht një dëm shumë të madh. E shoh me shumë siklet këtë sezon. Më e pakta do të jemi me dor në zemër duke shpresuar të mos ndodhë gjë gjatë kësaj periudhe ku çdo hotel në pikun e sezonit është plot. Është në varësi të shtetit. Nëse i merr masat, mendoj se do të ketë më pak dëm. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë