Shendet

Edhe pak ditë rezerva në Tiranë, qendrat e rretheve mbi 2 javë pa Metadon, ministria vonoi porosinë

Nga Gazeta Si - Metadoni, medikamenti që lufton varësinë nga heroina mungon prej dy javësh në të gjitha qendrat e hapura për përdoruesit e heroinës në Tiranë e rrethe.

Ndërsa qendra më e madhe, ajo në Tiranë me 210 persona, ka rezerva dhe për 4 ditë, në rrethe situata është problematike.

I pyetur nga Gazetasi.al, drejtuesi i qendrës së Metadonit në Tiranë, Genci Muçollari thotë se shkak i mungesës së Metadonit është kryerja me vonesë e porosisë nga ana e ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne kemi vetëm 4 ditë metadon rezervë, më pas nuk e dimë si do e menaxhojmë. Në qendrën tonë kemi 210 përdorues të heroinës që në rast mungese të medikamentit rrezikojnë ti rikthehen drogës lehtë, porosia duhet të ishte kryer më herët’, thotë Muçollari.

Sipas tij, përveç Tiranës që menaxhohet nga shoqata ‘Aksion plus’, në rrethe furnizimi me metadon i qendrave të rehabilitimit të përdoruesve të drogës menaxhohet nga ministria e Shëndetësisë.

Por kjo e fundit nuk ka ende një përgjigje zyrtare për situatën e krijuar si pasojë e vonesës së metadonit.

Muçollari thotë se metadoni është një medikament që merret strikte, në orar dhe ditë të caktuar dhe vonesa çorienton përdoruesin e drogave duke e orientuar lehtë në rrugë për të gjetur heroinën.

"Me vonesat e krijuara, gjithçka e realizuar deri më tani shkon dëm, pasi përdoruesit e heroinës nuk mund të rrinë pa medikamente. Krizat e abstinencës i detyrojnë ose ta blejnë metadonin në ‘tregun e zi’ me një çmim të lartë, ndryshe nga falas që e marrin në qendra. Por në rastin më të keq, ata detyrohet t'i rikthehen heroinës, duke çuar dëm gjithë terapinë e kryer deri më tani", thotë drejtuesi i qendrës së Metadonit për Tiranën, Genci Muçollari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë