Një javë pas grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut të 2016, Turqia vendosi gjendjen e emergjencës me argumentin e luftës kundër terrorizmit dhe organizatave që e mbështesnin atë.
Gjendja e emergjencës u mbështet nga pjesa dërrmuese e politikës turke në ato ditë, por me kalimin e muajve disa mbështetës u shndërruan në kundërshtarë. I tillë është rasti i ish-deputetit të opozitës, Aytug Atici.
Në fund të vjeshtës së 2016, në atë kohë ende deputet në parlament nën siglën e Partisë Republikane turke, partia kryesore dhe më e madhja anti-Erdogan, Atici kërkonte heqjen e gjendjes së emergjencës.
“Besoj se shteti ynë i ka mjetet dhe aftësitë që të luftojë terrorizmin pa qenë nevojë që të qëndrojë në gjendje alarmi”, deklaronte ai në atë kohë.
Por, çdo tre muaj partia e Erdogan dhe mbështetësit e tij zgjatnin gjendjen e emergjencës, që u hoq vetëm këtë javë.
Atici vendosi që të protestojë kundër zgjatjeve të njëpasnjëshme duke mos hequr mjekrrën. “Do ta heq vetëm kur të hiqet gjendja e emergjencës”, deklaronte ai.
Premtimi është premtim dhe ai duhet mbajtur. Në fillim të kësaj jave, gjendja e emergjencës mori fund edhe zyrtarisht. Atici, që në zgjedhjet e fundit nuk hyri në parlament si deputet, iu drejtua nën vëmendjen e kamerave dhe gazetarëve që dokumentuan mbajtjen e premtimit dhe heqjen e mjekrrës.
“Kam luftuar çdo qime të mjekrrës time kundër gjendjes së emergjencës”, deklaronte ai i çliruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.