Sociale

Kryeministri britanik me Covid-19

Njeriu që shpërfilli dhe minimizoi deri në moment të fundit rrezikun e koronavirusit, është infektuar vetë. Kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi se ka rezultuar pozitiv pas testit të kryer.

BBC njofton se Johnson ka simptoma të lehta dhe është vetëngujuar në godinën e qeverisë.

“Ai iu nënshtrua testit pas këshillës së kreut të stafit mjekësor, Chris Ëhitty”, thuhet në deklaratën e shkurtër të shpërndarë nga zyra e shtypit e qeverisë britanike. Megjithatë, komunikata sqaron se Johnson do të vazhdojë të drejtojë Qeverinë dhe krizën e pandemisë.

Johnson e konfirmoi edhe personalisht përmes rrjeteve sociale se ishte infektuar.

“Në 24 orët e fundit kam patur simptoma të lehta dhe rezultova pozitiv ndaj koronavirusit. Jam vetëngujuar, por do të vazhdoj të drejtoj Qeverisë dhe masat kundër virusit përmes videokonferencave. Së bashku do të mposhtim këtë”, shkruan Johnson.

Dalja e fundit publike e Boris Johnson ishte mbrëmjen e së enjtes, teksa përshëndeti shërbimet mjekësore të vendit.

Kryeministri britanik nuk është politikani i parë i lartë që infektohet me koronavirus. Më herët Princi Charles u vetëngujua në Skoci pasi rezutoi pozitiv ndaj këtij testi. Dyshimet janë se Charles është infektuar nga Princi Albert i Monakos, gjithashtu i diagnostikuar me virusin në fjalë, ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel u vetëizolua për pak ditë pas dyshimeve se mund të ishte infektuar nga një mjek i stafit të saj që rezultoi pozitiv. Pas dy testeve të kryera, kancelarja Merkel rezultoi e pastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë