Ngjarje

Edhe Kosova urdhëron që Wudy të hiqet nga tregu

Pas Shqipërisë edhe Kosova ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të produkteve të markës “Wudy”. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos konsumojnë produktet e kësaj marke, për shkak se dyshohet se në to ka prani të një lloj bakteri.

Më 21 shtator edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, ka njoftuar qytetarët që mos të konsumojnë produktet e kësaj marke, për shkak që, siç është thënë, ato “paraqesin rrezik me ndikim serioz për shëndetin e njeriut”.

“AUV menjëherë pas marrjes së informatës nga media se në produktet e prodhuesit AIA marka ‘Wudy’, vendi i origjinës Itali, dyshohet për prani të bakterit Listeria në disa llote prodhimi, ka filluar gjurmimin për identifikimin e të gjitha llojeve të produktit të importuar në Kosovë nga ky prodhues”, thuhet në përgjigjen e AUV-it dërguar Radios Europa e Lirë.

Nëse ushqimet e kontaminuara me bakterin Listeria konsumohen, atëherë shkaktohen simptoma si vjellja, diarreja, temperaturë, ethe e dhimbje muskujsh.

Ndërkaq, nga të dhënat e kontrollit kufitar dhe të dhënat e siguruara nga importuesi-distributori për Kosovë, është gjetur se disa nga këto produkte të markës “Wudy”, gjenden edhe në Kosovë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha se urdhri për tërheqje të tërësishme të gjitha produkteve nga kjo markë vlen deri në një vendim tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë