Kombetarja

Edhe Kombëtaret në fushë neutrale? UEFA s’e përjashton si mundësi

Në muajin shtator disa kombëtare mund të jenë të detyruara të luajnë në fushë neutrale për shkak të pandemisë nga Koronavirusi, ndërsa për rikthimin e tifozëve në stadiume do të diskutohet sërish në fund të gushtit. Drejtuesit e UEFA-s dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave kanë folur dje mes zhvilluar dje një takim me videokonferencë.

Mes të tjerash është folur për ndeshjet e kombëtareve dhe vështirësitë që skuadrat duhet të përballojnë nga situata e krijuar në gjithë botën nga Koronavirusi. Për të garantuar zhvillimin e rregullt të ndeshjeve duhet një bashkëpunim shumë i ngushtë mes skuadrave dhe UEFA-s. Dhe në këtë moment, mundësia për zhvillimin e ndeshjeve në fushë neutrale nuk duhet përjashtuar. Kombëtarja e Shqipërisë ka në program dy ndeshje të Ligës së Kombeve në shtator, me Bjellorusinë në transfertë dhe me Lituaninë në shtëpi. Nuk do ishte çudi që kuqezinjtë të luajnë në fushë neutrale, aq më tepër kur në Shqipëri situata është bërë mjaft shqetësuese.

Kombëtarja italiane gjatë një grumbullimi. Gazeta Si, 7 gusht 2020

UEFA dhe federatat janë të vetëdijshme se është e rëndësishme të kthehen tifozët në stadium, por situata në Europë është e ndryshme. UEFA do të monitorojë në mënyrë konstante panoramën legjislative të vendeve të ndryshme dhe do të rivlerësojë situatën në mes të gushtit. Atëherë mund të vendoset, nëse duhet ndryshuar vendimi i luajtjes së ndeshjeve me dyer të mbyllura, apo mund të kemi një hapje të pjesshme. Për kombëtaret e moshave është hedhur ideja që aktivitetet të spostohen në pranverën e 2021-shit.

Për kompeticionet e klubeve, sipas njoftimit të UEFA-s, vëmendja është te turet e ardhshme kualifikuese të kupave. Klubeve u është shpjeguar me detaje rregullorja e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës për sezonin e ardhshëm, ku do të ketë limitim të udhëtimeve dhe teste të vazhdueshme për Covid-19, që mund të ketë efekt në vazhdimësi. Është bërë e qartë se për të respektuar masat e marra nga autoritetet dhe rregullat e karantinës, disa ndeshje mund të spostohen në fushë neutrale. UEFA ka falënderuar Poloninë, Hungarinë, Greqinë dhe Qipron që ka vënë në dispozicion stadiumet për ndeshjet në fushë neutrale, duke u dhënë një mundësi klubeve për të pasur më shumë siguri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë