Sociale

Edhe kjo fundjavë, izolim total

Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar qytetarëve se këtë të shtunë është dita e fundit me fashën orare deri në 13:00. Në një postim në Facebook, ai shkruan:
“Nesër është dita e fundit me fashën orare deri në 13.00. Nga nesër në 13.00 deri të hënën në 05.00 gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi. Nga e hëna, fasha orare do të zgjatet deri 17.30 dhe autorizimet për leje-dalje për pazar do të jenë 90 minuta.
Pak nga pak dhe me durim, do të dalim me kokën lart nga kjo luftë”, shkruan Rama.
Më herët, kreu i qeverisë paralajmëroi lehtësim të masave shtrënguese, duke filluar që prej javës së ardhshme.
“Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare deri në orën 17:30. Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme, nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual, mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik”, tha kryeministri. Sipas tij, vendi ndodhet ende në fazën e parë të betejës me pandeminë. Rama dha si afat fundin e muajit maj për përfundimin e kësaj faze.

Më Shumë