Kombetarja

Edhe Keidi Bare me ekip të ri, mesfushori drejt Espanjolit për 2 milionë euro

Lëvizjeve të shumta të futbollistëve të Kombëtares në këtë periudhë do t’u shtohet edhe ajo e mesfushorit Keidi Bare. Fieraku pritet të lërë Malagën dhe të zyrtarizohet tek Espanjoli, që këtë sezon merr pjesë në Ligën 2 në Spanjë.

Për Baren pati një interesim edhe nga klubet italiane, por dëshira e tij ishte që të vazhdonte në futbollin spanjoll, pasi e njeh mirë atë. Për disa vite 23-vjeçari ka qenë pjesë e Atletiko Madrid dhe së fundi e Malagës. Bare ka spikatur me këtë të fundit dhe Espanjoli, që synon kthimin në La Liga, do ta blejë për 2 milionë euro. Mesfushori i Kombëtares pritet të nënshkruajë për 4 vjet me Espanjolin, drejtuesit e të cilit, duke parë moshën e re të futbollistit, kanë vendosur të investojnë tek ai.

Bare me fanellën e Malagës. Gazeta Si, 22 shtator 2020

Espanjoli pritet të shesë mesfushorin Mark Roka tek Atletiko Madrid dhe si zëvendësues të tij ka zgjedhur pikërisht shqiptarin. Bare ka qenë titullar te Malaga, ashtu si dhe Sadiku, që tashmë ka kaluar në Turqi. Futbollisti fierak, ish-kapiten i Shpresave, tashmë është një element kyç edhe për Kombëtaren. Ai nuk luajti në ndeshjen me Lituaninë dhe mungesa e tij u ndje shumë në lojën e kuqezinjve, të cilët humbën 0-1.Kalimi tek Espanjoli është një hap i rëndësishëm përpara për Baren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë