Kombetarja

Edhe Kastriot Dermaku në Serinë A, pranë firmës me Parmën

Një tjetër futbollist i Kombëtares së Shqipërisë do t’i shtohet Sërisë A. Mbrojtësi Kastriot Dermaku, sipas medieve lokale në Itali, do të lërë Kozencën dhe do të firmosë për Parmën, një skuadër mjaft e njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Firma e shtatlartit 27-vjeçar konsiderohet formalitet dhe zyrtarizimi i tij si lojtar i Parmës, duket vetëm çështje orësh. Kozenca bëri gjithçka për ta mbajtur futbollistin shqiptar në skuadër, por ai e kishte vendosur për t’u larguar me parametra zero.

Dermaku është grumbulluar aktualisht nga trajneri i Kombëtares, Edi Reja, për dy ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë, kështu që firma në kontratë do të hidhet pasi këtyre ndeshjeve. Paraqitja që mbrojtësi kuqezi ka bërë me Kozencën sezonin e fundit, ku ai ishte titullar i padiskutueshëm, kishte tërhequr vëmendjen e disa skuadrave të Serisë A. Tashmë është zbuluar se skuadra e tij e re është Parma, ku mbrojtësi shpreson të bëjë hapin e madh përpara në karrierën e tij. Më parë Dermaku është aktivizuar në kategoritë inferiore në Itali me skuadra si Empoli, Pavia e Lukeze.

Kastriot Dermaku

Sezonin e ri do të shohim më shumë futbollistë shqiptarë në Serinë A. Emanuele Ndoj, i cili është ngjitur me Breshian e tij nga Seria B, tashmë edhe Dermaku që do t’i bashkohet Parmës, u bashkohen Tomas Strakoshës të Lacios, Elseid Hysajt të Napolit dhe Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit të Atalantës. Ledjan Memushaj dhe Elhan Kastrati nuk ia dolën me Peskarën e tyre në “play-off”-in e Serisë B, ndërsa Frederik Veseli ka zbritur nga Seria A me Empolin. Janë edhe disa të rinj si portieri Marko Alia i Lacios, Erald Lakti i Fiorentinës dhe Marasha Kumbulla i Veronës, që sezonin e ri mund të jenë pjesë e Serisë A, pasi janë grumbulluar në disa raste me ekipin e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë