Kombetarja

Edhe 100 ditë nga Europiani, dilemat e listës së Silvinjos për mbrojtjen dhe sulmin!

Gazeta Si – Kanë mbetur edhe 100 ditë nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë. Një event shumë i rëndësishëm, ku kuqezinjtë marrin pjesë për herë të dytë në histori.

Kalimi i grupit nga Kombërtarja jonë, - edhe pse me kundërshtarë kalibri si Spanja, Italia e Kroacia, - nuk do të ishte çudi, sipas presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Vërtet nuk do jetë çudi, po të kemi parasysh performancën e kuqezinjve në kualifikuese, por shumë gjëra varen nga gjendja e tyre në qershor.

Kombetarja dhe flamuri i shpalosur ne 'Air Albania' para ndeshjes me Ishujt Faroe

Kureshtja më e madhe e tifozëve është, nëse do të ketë apo jo ndryshime në listën zyrtare të Euro 2024 dhe nëse po, cilat do të jenë risitë e trajneri Silvinjo. Kohë ka, 100 ditë deri në startin e Europianit janë mjaftueshëm, ndërsa indiciet e para pritet të vijnë nga miqësoret e marsit me Kilin dhe Suedinë.

Dilemat në mbrojtje dhe sulm
Në pamje të parë, dilemat e trajnerit brazilian kanë të bëjnë me mesfushën dhe sulmin. Porta dhe mesfusha me shumë mundësi do të jenë ato të kualifikueseve. Strakosha, Berisha e Kastrati janë gati për portën, për mesfushën emrat bazë janë Asllani, Ramadani, Gjasula, Bare, Laçi, apo edhe Bajrami, që luan edhe në sulm.

Kumbulla ne nje dyluftim ajror me Levandovskin

Konkretisht, sa i takon mbrojtjes, dilema kryesore është Marash Kumbulla. Mbrojtësi sapo ka nisur të luajë si zëvendësues dhe mbetet të shihet ecuria e tij. Nëse kap formën, patjetër që do të jetë në listë, në të kundërt është e kotë që t’i zërë vendin dikujt tjetër. Dyshja titullare është Gjimshiti-Ismajli, ndërsa alternativat, nëse Kumbulla nuk ia del, janë Ajeti, Mihaj e Veseli. Për krahët janë Hysaj, Balliu dhe Mihaj.

Për sulmin diskutimi është më i komplikuar. Broja nuk po luan, por nuk mund të lihet jashtë liste. Manaj po shkëlqen dhe logjikisht nuk mund të lihet jashtë liste, ashtu sikurse Ernest Muçi, në momentin e tij më të mirë pas kalimit te Beshiktashi.

Armando Broja

Myrto Uzuni luan në La Liga dhe patjetër do të jetë në listë, Sokol Cikalleshi ka eksperiencë të madhe dhe ka dhënë shumë në kualifikuese, kurse Mirlind Daku është një lojtar potent që mund të jetë i vlefshëm në çdo moment. Sa u takon sulmuseve anësorë, Jasir Asani është i padiskutueshëm dhe dilemat lidhen me Arbnor Mujën dhe Taulant Seferin.

Silvinjo realisht e ka shumë të vështirë të bëjë përzgjedhjen përfundimtare në këtë moment. Atij i duhet të presë deri në minutën e fundit dhe koha mund t’ia thjeshtojë gjërat. Miqësoret po ashtu do ta ndihmojnë për të marrë ndonjë përgjigje. Ka edhe 100 ditë në dispozicion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë