Futboll

E zhytur në borxhe, por Vllaznia zgjedh një trajner të huaj

Edhe pse nuk dinë “ku kanë kokën” dhe kërcënohen nga licencimet në FSHF për shkak të borxheve të shumta të prapambetura, shkodranët po vazhdojnë punën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Vllaznia ka arritur sot akordin me trajnerin Mirsad Jonuz, i cili do të zëvendësojë në stolin e kësaj skuadre Agim Canajn. Bëhet fjalë për një trajner 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili ka drejtuar edhe kombëtaren U-21 të vendit fqinj, përveç skuadrave si Rabotniçki dhe Pobeda.

Lajmi është zyrtarizuar nga klubi shkodran, që shkruan: “Është arritur akordi me trajnerin që do të drejtojë Vllazninë në vijim. Njeriu i përzgjedhur është Mirsad Jonuz, një trajner shumë i njohur në Maqedoninë e Veriut. Ai ka punuar me disa ekipe, si Rabotniçki, Pobeda Prilep, Maqedonia e Veriut U-21, Nea Salamis, FC Horizont Turnovo dhe FC Aiginiakos në Greqi. Trajneri Jonuz dhe drejtuesit e Vllaznisë kanë rënë dakord për kushtet e kontratës dhe pritet që në ditët në vijim ai të mbërrijë në Shkodër për të firmosur”.

Mirsad Jonuz, trajneri i ri i Vllaznisë

Shkodranët kanë rinovuar së fundi me kapitenin Gilman Lika dhe mbrojtësin Renato Malota. Më parë janë afruar Dajan Shehi dhe Herald Marku nga Kastrioti. Një situatë paradoksale në fakt, duke ditur problematikën e Vllaznisë në këtë moment. Klubi shkodran ka afat deri në fund të muajit për të shlyer borxhet e vjetra. Vllaznia drejtohet nga Bashkia e Shkodrës, administrata e së cilës pritet të ndryshojë, ndërsa administratori Suad Lici vazhdon të bëjë lëvizje ditët e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë