Libra

E veçanta e Dhjetorit dhe djaloshi që lufton kundër makutërisë

Në njëfarë mënyre, të gjitha bisedat janë të gënjeshtërta. Vetëm veprimi i bën ato të vërteta. Të gjitha fjalët janë gënjeshtra, në mos ajo për çka flitet i vihet tjetrit përpara, që ky ta shohë e ta prekë. Gjërat që thuhen në celular dhe ato që shkruhen me bojë në letër për t’u lexuar nga të gjithë e mandej ndryshohen, s’mund të merren për bazë as tani, as kurrë ndonjëherë. Kështu mendon romancieri, ose së paku heroi i romanit “E veçanta e dhjetorit”, Xhonsi Kanlajfit, një djalosh i vetmuar, pa përvojë, pa miqësi apo ambicie, që jeton në po atë zonë rurale të Irlandës, ku ndodhin ngjarjet e romanit “Zemra vërtitëse”, shkruar nga i njëjti autor, Donal Ryan. Megjithëse i botuar pas këtij të fundit, ngjarjet e paraqitura në romanin “E veçanta e dhjetorit” janë më të hershme: ato zhvillohen para krizës financiare të vitit 2008, që përfshiu jo vetëm Irlandën, por të gjithë Europën. I ndarë në 12 kapituj, romani përshkruan, në secilin syresh, një muaj nga një vit jetë e Xhonsit.

Në rrëfim gjurmohen me zgjuarsi shkaqet fillestare të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të pronave të patundshme, të vuajtjes së shumë të pafajshmëve, si dhe shfaqet shkatërrimi i komuniteteve, që dikur jetonin në harmoni.

Teksa ekonomia e vendit është në vlim dhe makutëria kthehet në normalitet, Xhonsi përpiqet dëshpërueshëm të ruajë atë çka i është familjare, e njohur dhe e ngrohtë, megjithëse ndërkohë ka humbur të gjithë ata që e kanë mbrojtur nga egërsia e jetës. Pas vdekjes së prindërve, Xhonsi trashëgon fermën e familjes dhe një llogari bankare të majme, megjithëse është i paaftë për t’u kujdesur për to. “Gangot” e fshatit dhe mashtrues të ndryshëm e përndjekin, e megjithëse copëza dashurie hyjnë në jetën e tij në vendin dhe kohën më të çuditshme, Xhonsi mbetet njeri i vetmuar, i cili ka vështirësi t’i rrijë pas botës që lëviz me ritme marramendëse. Në rrëfim gjurmohen me zgjuarsi shkaqet fillestare të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të pronave të patundshme, të vuajtjes së shumë të pafajshmëve, si dhe shfaqet shkatërrimi i komuniteteve, që dikur jetonin në harmoni.

“E veçanta e dhjetorit” ka qenë finalist i çmimit “Romani i Vitit”, në Irlandë, ndërsa kritika e ka cilësuar autorin, Donal Ryan si një shkrimtar-magjistar. “Ka një aftësi aq magjepsëse për të rrëfyer një histori, sa ta ka ënda ta lexosh me zë të lartë. Ky roman do të mbushë zemrat e do të pasurojë shpirtrat e lexuesve”, shkruan britanikja “The Guardian”. Për “The Irish Times”, ky roman përligj plotësisht suksesin që arriti romani i tij i parë, duke analizuar më tej tensionet e pranishme në zemër të jetës rurale, pa lënë asnjëherë përshtypjen se kërkon të kritikojë. “I shpie lexuesit në mendjen e një njeriu që ka vështirësi të çajë në një botë, të cilën nuk arrin kurrë ta kuptojë plotësisht”, ka shkruar “Booklist”. The Indipendent e renditi Ryan-in, si një prej shkrimtarëve të rinj më të talentuar bashkëkohorë. Romani i parë i Donal Ryan “Zemra vërtitëse” ishte kandidat për Man Booker Prizedhe fitoi çmimin “Libri i vitit, 2012” në Irish Book Awards.

Teksa ekonomia e vendit është në vlim dhe makutëria kthehet në normalitet, Xhonsi përpiqet dëshpërueshëm të ruajë atë çka i është familjare, e njohur dhe e ngrohtë, megjithëse ndërkohë ka humbur të gjithë ata që e kanë mbrojtur nga egërsia e jetës

Donal Ryan është një ndër shkrimtarët irlandezë bashkëkohorë më premtues. Ai ka lindur në Nenagh, në Kontenë Tipperary, në Irlandë. Ka qenë nëpunës i sektorit publik për shumë vjet. Dhe vetëm më 2014, pas suksesit që korri “Zemra vërtitëse”, romani që e shkroi gjatë mbrëmjeve të verës së 2010-ës, i është kushtuar tërësisht krijimtarisë letrare. Romani i tij i parë u refuzua nga 47 botues, derisa më në fund arriti të gjente një të tillë. Dy romanet e tij “Zemra vërtitëse” dhe “E veçanta e dhjetorit” kanë arritur majat e kritikës irlandeze dhe europiane. “Zemra vërtitëse” ka fituar The Guardian First Book Award, Çmimin Europian për Letërsinë (2015), titullin "Libri i Vitit" në Çmimet e Librit Irlandez. Njerëzit, thotë djaloshi Xhonsi në këtë roman, çfarë nuk thonë kur mendojnë se kanë të drejtë. Kjo histori, sa e ëmbël, aq dhe e hidhur, na kujton se në jetë jemi të rrethuar nga shpirtra të thjeshtë, të cilët shpesh janë më të thellë e më të mençur se ç’mund të mendojmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë