Moti

E shtuna me shtrëngata shiu dhe reshje dëbore, Bashkia Fushë-Arrëz shpall gjendjen e jashtëkonshme. Ishmi del nga shtrati në Krujë

Këtë të shtunë (20 janar), vendi ynë eshte ndikuar nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, ku mbizotëroi moti i vranët me reshje shiu të cilat ishin prezente që prej mesnatës me intensitet mesatar.

Përgjatë Ultësirës Perëndimore reshjet kane qene me intensitet mesatar e hera –herës të lartë në formën shtrëngatave dhe stuhive të cilat në intervale të shkurtra kohore ishin edhe problematike. Në lartësitë mbi 300- 400 metër në veri-verilindje dhe në lartësitë mbi 600-700 metër në pjesën tjetër të vendit ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar.

Në periudha afatshkurtra reshjet e dëborës kane pasur intensitet të lartë në formën e shtrëngatave dhe stuhive të dëborës në Alpe dhe verilindje.

ARRSH rekomandoi të shmangen lëvizjet e panevojeshme në zonat me temperatura shumë të ulëta dhe të qarkullohet vetëm me goma dimërore. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se Agjencia e Mbrojtjes Civile ka koordinuar punën me të gjitha Prefekturat e vendit, për të marrë masat në kohë dhe shmangur problematikat. 

Ndërkohë, Bashkia Fushë-Arrëz në veri të vendit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të borës, njoftoi kryetari i bashkisë Hil Curri. Ai tha se po punojnë me të gjithë Njësitë Administrative, Iballë, Blerim, Fierzë, Qafë-Mali.

Në një prononcim për TCH, kyebashkiaku Hil Curri bëri apel për ndihmë, pasi sipas tij për shkak të bllokimit nga bora, rrezikohen jetë njerëzish.

Disa njësi administrative dhe disa fshatra janë të izoluar, rrugët janë të bllokuara nga dëbora, trashësia e së cilës ka shkuar 1 metër, ndërsa zona të tëra janë pa energji elektrike.

Sipas kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, janë në total 12 fshatra totalisht të bllokuar, ndërsa mjetet e pastrimit kanë mundur të mbërrijnë deri në Iballë. Në fshatrat e izoluar nga bora mungon energjia elektrike, ndërsa është e pamundur edhe ndërhyrja me helikopter.

Ndërkohë në një tjetër zonë, fryrja e madhe e lumit Ishëm ka bërë që ai të dalë nga shtrati në fshatin Murqinë të Krujës, duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë.

Reshjet që vijojnë tashme prej orësh kanë bërë që niveli i lumit Ishëm të rritet ndjeshëm e për pasojë të dalë nga shtrati në disa pika.

Më problematike, situata paraqitet në fshatin Murqinë, ku është përmbytur dhe rruga e lagjes fundore të këtij fshati, e cila aktualisht është e kalueshme vetëm me mjete të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë