Editorial

E përse duhet të paguaj për rrugën Tiranë-Elbasan?

 Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan ka zgjatur shumë, përtej afateve kohore dhe ka kërkuar para shtesë, përtej kontratës duke u shenjuar si një tjetër dështim i radhës, ndaj çdo premtim i ri për kohën se kur ajo do të përfundojë, i mban shqiptarët indiferentë dhe mosbesues. Megjithatë qeveria e ka të qartë se kurdo që kjo të ndodhë pas përfundimit, qytetarët duhet të paguajnë për të udhëtuar nëpër këtë rrugë njësoj si në rrugën Durrës-Kukës, sepse kështu tha të martën Ministri i Infrastrukturës.

Dhe kur qeveria do të llogarisë se sa do të duhet të jetë çmimi i biletës (toolls), do të duhet të përfshijë si kosto të paktën edhe paratë e shpenzuara për ndërtimin e saj. Sa më i madh shpenzimi dhe koha e kryerjes së investimit, aq më të mëdha do të jenë kostot që rrjedhin prej saj e aq më i shtrenjtë çmimi i biletës.

Edhe tek Rruga e Kombit, Durrës-Kukës, kur pak ditë më parë u rivendos trau u pagesës, sipas qeverisë e cila shpërndan edhe reklamën e koncesionarit si alibi, çmimi i lartë u diktua për të paktën dy arsye: sepse do të investohet që rruga të përfundojë dhe që të rritet siguria rrugore.

Edhe ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan, një nga akset më të rëndësishme ekonomike e strategjike të vendit, ka të njëjtën histori të trishtë dhe mjaft të dyshimtë për abuzime me paratë publike dhe me shkelje flagrante të afateve (lexo në “Vrima e zezë e tunelit Tiranë-Elbasan).

Rruga nisi në prill të vitit 2011 dhe pas 7 vitesh ende nuk ka përfunduar, megjithëse është vetëm 26 kilometra. Fondi fillestar ishte 312 milionë dollarë, por deri tani fatura është rritur me 44 për qind dhe rruga nuk ka përfunduar. E ndoshta mund të kërkojë sërish financime.

Lexo më shumë:

https://gazetasi.al/vrima-e-zeze-e-tunelit-te-elbasanit/

Të gjitha këto para shtesë mbi projektin dhe kostot e tjera që rrjedhin edhe nga moskryerja në kohë e investimit, do të jenë aty brenda në çmimin e biletës. Zyrtarisht nuk ka asnjë hetim se pse u rritën kostot e rrugës dhe u tejkaluan afatet ligjore të miratuara nga Parlamenti, ndaj nuk mund të themi saktë se paratë publike janë vjedhur. Disa zëra nga maxhoranca thonë se çështja duhet hetuar, por fakti që rruga nuk ka përfunduar dhe paratë nuk dalin, është e qartë që ato janë shpërdoruar.

Ndaj, çdo qytetar sa herë do të duhet të paguajë në të ardhmen biletën për të udhëtuar në rrugën Tiranë-Elbasan, duhet të kuptojë se me një pjesë të çmimit të saj po paguan sërish faturën e shpërdorimit dhe jo faturën e për një shërbimi të shpejtë dhe të sigurtë sikundër duhet të jeta rruga. Pra, është një çmim dyfish për keqqeverisjen.

Nëse kjo biletë nuk do të jetë produkt i raportit kosto/përfitim pa skontuar pikërisht koston e shpërdorimit, nuk ka përse të paguhet nga qytetarët. Ose qeveria duhet të na dëmshpërblejë. Ka dy mënyra; ose të largohet ose të mos e vendosë traun, të paktën për ca kohë.

Bordi editorial i Gazetës "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë