Ekspozite

“E pashmangshmja” e Robert Aliajt, të zotërojmë murin njerëzor në një kohë trazirash

Nga Luljeta Nelallari - "Muri më mbron, por njëkohësisht edhe më izolon. Duhet unë t'i jem mirënjohës? Apo duhet t'i trembem?". Nën këtë shprehje vjen ekspozita "E pashmangshme" nga artisti rebel Robert Aliaj Dragot, në hollin e Kryeministrisë, hapësirën më të rëndësishme politikëbërëse në vend.
Ekspozita e kuruar nga Klod Dedja vjen në një zhanër të rrallë për publikun shqiptar, ku elementi kryesor i saj është një mur i ndërtuar pikërisht aty në holl, si një simbol që na ka shoqëruar në histori, por edhe si "mur mental" siç e quan vetë artisti.
Kjo vepër na flet shumë, duke kaluar sa nga kritika tek autokritika për fenomene, të cilat ne kemi ose nuk kemi mundësi që t'i diskutojmë apo t'i ngremë. Ndoshta në jetën e përditshme ne kemi mure mentale e më pas shoqërore e politike, të cilat nuk na lejojnë që të flasim për to…
Robert Dragot thotë për Gazetën "Si" se muret janë të pashmangshme në jetën tonë. Sipas tij, muri në këtë ekspozitë vjen si një manifest fizik kundër limiteve, dështimit, kufizimit, izolimit.
"Muret, pafundësi simbolesh, masë e jashtëzakonshme domethënieje, e pamundshme t'i numërosh. Interesi për muret dhe përdorimi i tyre metaforik, amplifikohet nga ambiguiteti dhe funksioni i ndëshkim/mbrojtjes", shprehet Dragot për Gazetën "Si", ndërsa shton se "unë i kam përzemër muralet, që nga prehistorike, primitivizmi e deri më sot, sepse fuzionojnë funksionin e nevojës konkrete për t'u shprehur me simbolikën në një bashkëveprim të përjetshëm".
Artisti Dragot murin e ndërtuar në COD, në një performancë Live, nuk do ta shembte, as do ta urrente, por arriti ta përkëdhelë, ta puthë. Dhe pas këtij çasti kulmor gjatë performancës së tij, artisti vjen i ngujuar në bronz nga skulptori Ardian Pepa.

Por çfarë fshihet pas këtij muri? Vetëm dyshimi për të mos gabuar? Ky mur që qëndron stoik në atë hapësirë tregon sa histori shumë personale të artistit se çfarë ka përjetuar në këto vite tranzicion, aq edhe fenomene që kanë shoqëruar popullin në përgjithësi.
"Ne si popull i abuzuar për një kohë të gjatë dhe që në moshë shumë të re, ashtu si fëmijët e abuzuar, kemi krijuar mure MENDORE dhe EMOCIONALE të harruara në nivelin e nënndërgjegjes, të cilat izolojnë kujtimet e abuzimit sapo na paraqitet diçka me interes", thotë Dragot.
Sipas artistit në jetë rrethohemi nga mure, të cilat pashmangmërisht na duhet të përballemi me ta gjatë gjithë kohës dhe muret vijnë me funksionin e ndëshkim/mbrojtjes.
"Tani, nëse pushteti i sotshëm është abuzues, ne nuk jemi në gjendje t'i shpëtojmë abuzimit të tyre. Jo vetëm për faktin se ne kemi dy kërkesa imponuese biologjike të rëndësishme, atë të nënshtrimit për mbijetesë dhe atë të jashtëqitjes, por edhe sepse ashtu si dhe funksioni themelor i murit është ai i ndëshkim / mbrojtëjes, nocionet e ndarjes fizike dhe psikologjike janë aspekte themelore të ekzistencës njerëzore", vijon ai.
Duke e lidhur dhe me sistemin diktatorial në Shqipëri, Dragot thotë se shumica ende nuk e kuptojnë se i kanë këto mure të ndërtuara pashmangshemërisht.
"Sot ky aspekti DISOCIATIV i trashëguar, (që ndërtojmë mure për t'u mbrojtur dhe harrojmë pse i kemi ndërtuar) na karakterizon si identitet. Kështu që është e vështirë për shumicën e të mbijetuarve te diktaturës të kuptojnë se i kanë ato mure".
Përpos veprës "E pashmangshme” (performancë, instalacion), që vjen me murin, në hollin e Kryeministrisë na ofrohen dhe vepra të tjera autentike si “Qyteti i mbrapshtë” (viti 2021, performancë) “6080K310 I” (viti 2010, video-art), “Elemente diskrete” (viti 2008, pikturë, miks media), “Homomigratus” (viti 2016, pikturë miks media), “E pashmangshme” (viti 2021, pikturë miks media), të cilat kanë një emërues të përbashkët: të gjejmë gjithmonë gjuhën e dialogut.

Ndër të tjera, Dragot thotë se nëpërmjet kësaj ekspozite, i fton njerëzit të reflektojnë rreth mënyrës se si i kuptojnë muret.
“Duke ndërtuar murin brenda Kryeministrisë, në hollin protokollar, tentoj t'i detyroj në njëfarë mase qytetarët të rikonsiderojnë mënyrën se si i kuptojnë ata muret. Kjo është një mënyrë për të ndihmuar njerëzit, për t'i inkurajuar ata të reflektojnë dhe pyesin veten çfarë ata mendojnë se dinë, dhe se si duhet të përballen me atë që dinë sot në këtë realitet".
Sa i përket pritshmërisë dhe marrëdhënies së saj me publikun, Dragot thotë se është pritur mirë. Por sipas tij, duke qenë se është një ekspozitë konceptuale, domosdoshmërisht kërkon njerëz që kanë një nevojë shpirtërore për këto zhvillime.
"Ekspozita është mirëpritur nga artdashës të vërtetë. E këshilloj fuqishëm mosardhjen e vizitorëve të painteresuar për artin në përgjithësi, pa kuriozitet për këtë mënyrë komunikimi njerëzor. 'E PASHMANGSHME' është një tentativë e ndjerë, ndërhyrje e sinqertë, sepse është një ekspozitë ku sundon mendimi. Një vepër arti kontemporane me një refleksion kaq koherent me realitetin në Shqipëri, e komplikon pak jetën e njerëzve të cilët nuk janë mësuar", shprehet ai, ndërsa vë në pah se "Njerëzit janë mësuar të shohin ekspozita bojaxhinjsh, tablotë e të cilëve dekorojnë hotelet, restorantet apo dhe bankat këtu në Shqipëri. E ndjej të nevojshme të ritheksoj që artist bashkëkohor nuk të bën fakti që ti pikturon apo vepron tani, jo. Artist kontemporan të bëjnë proekupimet artistike aktuale, por mbi të gjitha shqetësimet, koherenca dhe shprehja jote shoqërore".
Për artistin e lirë Dragot, kjo ekspozitë në thelb ngelet një thirrje nga shpirti, për gjithçka. E ndërsa kërkon ndjesë për faktin që shprehet kaq ashpër, ai "pashmangërisht" përfundon duke thënë: "thjesht është kështu"…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë