Lojëra me Dore

E para volejbolliste shqiptare kampione e Europës, Erblira Bici hyn në histori

Është volejbollistja shqiptare më e mirë e momentit dhe ndër më të dalluarat në Europë, por Erblira Bici duket se nuk njeh limite. Sportistja nga Gramshi, pasi bëri një debutim të shkëlqyer me ekipin e Novarës në kampionatin Italian, duke fituar Kupën, ka arritur suksesin maksimal, duke fituar trofeun e Champions League në volejbollin e femrave.

https://twitter.com/CEVolleyballCL/status/1129779016641253376

Skuadra e shqiptares, Novara, triumfoi 3 me 1 kundër ekipit tjetër italian, Conegliano, në finalen e zhvilluar në Berlin të Gjermanisë, duke fituar edhe trofeun e Champions League. Triumfi në derbin italian për Novarën nuk ishte shumë i vështirë, duke i fituar setet me këto shifra: 25-28, 25-17, 14-25, 25-22. Me këtë triumf në Europë, Igor Volley Novara hakmerret ndaj Imoco Volley, që e kishte mposhtur në kampionat. Bici është aktivizuar në setin e tretë të finales, duke dhënë kontributin e saj në këtë fitore historike të Igor Volley Novara.

Suksesi është një arritje historike për këtë sportiste që bëhet e para shqiptare që arrin në këto nivele në volejbollin europian. Vetëm 23 vjeç dhe në sezonin e saj të parë me këtë ekip, Bici është duke lënë gjurmë me lojën e saj, një kampione që ka treguar vlerat e saj përgjatë gjithë sezonit, duke kaluar të gjitha etapat e përshtatjes shumë shpejt.

https://twitter.com/CEVolleyballCL/status/1129847175914115072

Erblria Bici është edhe kapitenia e kombëtares shqiptare të volejbollit, ku vitin e shkuar ishte një nga më të mirat e grupit kuqezi që shkoi në finale e Ligës së Europës. Më herët në një intervistë për Gazetën Si, Erblira Bici deklaroi se e kishte ëndrrën e saj më të madhe që të fitonte Champions League dhe tashmë që ia doli mbetet për t’u parë se cila do të jetë shkalla e radhës që ajo do të ngjisë në karrierën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë