Politike

E marta e Presidentit “danez”, sprova e panjohur për Ilir Metën

Kjo e martë për të nisi ndryshe. Premtimin e dha të hënën pak para mesnate.

Munguan postimet tërë nerv orë e pa orë në faqen e tij Facebook apo Twitter.

Nuk kishte deklarata për “krimin me Teatrin”, as postime të  mediave ndërkombëtare kritizere, e aq më shumë mesazhe të forta përmes fotosh e videosh.   

Ilir Meta e nisi paq ditën e parë të një presidenti “danez”, edhe pse Danimarka është Mbretëri.

Në mesditë, stafi i tij shpërndau njoftimin e parë zyrtar. Një lajmërim i “thatë” për tre ligjet që kreu i shtetit kishte dekretuar.

Pak pas mbarimit të orarit zyrtar, (po përmes gjuhës së shkresave), Meta ktheu për rishqyrtim një ligj të parëndësishëm për heqjen e TVSH-së për jahtet, me argumentin kryesor se, nuk është shkruar shqip…

…Të hënën mbrëma ai pati daljen e fortë publike. Foli krejt qejfmbetje për Lulzim Bashën, etiketoi një pjesë të ndërkombëtarëve si palë me Ramën për reformën në drejtësi, publikoi mesazhe konfidenciale diplomatësh, foli edhe për konspiracione të tipit; lob pro serb afër Washingtonit që po kurajonte Ramën për trazira…

I tha të gjithë këto, për të njoftuar në fund të emisionit “Opinion” se nga e marta do të ndryshonte kurs.

Ai kundër të gjithëve, “dha” fjalën se do të jetë President, larg palëve. Premtoi se nuk do të ketë më nisma për të zgjidhur kriza politike. Tha se do të takojë Ramën, Bashën dhe ambasadorët e SHBA dhe BE vetëm në prani të dëshmitarëve dhe do të dokumentojë çdo bisedë me ta.

Po ashtu “premtoi” se do të përshëndesë çdo marrëveshje që ata (Rama dhe Basha) do të arrijnë me njëri-tjetrin.

Por sa do të zgjasë zotimi i Ilir Metës për të qenë një President i tipit “danez” në Shqipëri?

Në 3 dekada politikë, karriera e tij njeh veçse beteja, sa brenda llojit aq edhe me kundërshtarët…

…Ambasada amerikane shpërndau të martën një deklaratë si përgjigje indirekte e akuzave të Ilir Metës një natë më parë për reformën në drejtësi, ndërsa Yuri Kim trokiti në një tjetër derë.

Siç kishte premtuar disa ditë më parë, ajo bisedoi (qetësisht) me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Të dy ata u shfaqën në një mendje për rëndësinë e reformës zgjedhore, pas takimit…Asnjë fjalë për reformën në drejtësi. Yuri Kim tha se u fol për të ardhmen, jo për të shkuarën…

Topi i ka kaluar sërish politikës. Me një situatë të re për zgjedhjet.

Meta veçse do të shohë… Por deri kur?

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë