Futboll

E kryer, Tirana bën goditjen e madhe në merkato

Tirana sapo ka konfirmuar edhe goditjen më të madhe të kësaj merkato vere. Kryeqytetasit kanë gjetur akordin me mbrojtësin e Kombëtares, Andi Lila. Kavajasi gjeti marrëveshjen me presidentin Halili dhe ka hedhur firmën në kontratë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë trajneri i bardhebluve, Ardian Mema në konferencën e sotme për shtyp. “Andi do të jetë pjesë e Tiranës. Nuk flas dot për formën tani, pasi ekipi do të rritet edhe më shumë sepse kam një skuadër me lojtarë me eksperiencë.”- duke hedhur tej cdo dyshim për të ardhmen e mbrojtësit. Lila që vjen nga një dëmtim do t’i bashkohet menjëherë Ardian Memës në stërvitje për të kapur sa më shpejt formën optimale.

Andi Lila është afrimi më i bujshëm i kësaj verë për Tiranën, që më herët gjatë kësaj merkatoje ka firmosur me disa lojtarë të konfirmuar të Superligës si, Batha, Torasa, Osmani apo edhe Dunga që vjen nga Luftëtari.

Për Andi Lilën, Tiranës iu desh që të fitonte një betejë shumë të fortë me Kukësin. Kur u duk se verilindorët ishin fare pranë Lilës, Tirana bëri lëvizjen finale për të firmosur me mbrojtësin me shumë eksperiencë. Lila rikthehet kështu te Tirana dhe në kampionatin shqiptar, pas më shumë se 10 vite, ku më së shumti ka luajtur në kampionatin grek.

Pasi humbi betejën me Abazajn, që tashmë është i Kukësit, Tirana merr Lilën për t’ia bashkuar lojtarëve të tjerë më eksperiencë në kërkim të rikthimit te titulli kampion që mungon prej më shumë se 10 sezone.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë