Irena Beqiraj

E dashura e Kishore Mahbubanin, SPAK-u i pafat, edhe Ambasadorja Kim


Kishore Mahbubani ishte një diplomat i ri, beqar në Ambasadën e Singaporit në kryeqytetin e Kamboxhias të shkatërruar nga lufta Pnom Penh në 1973. Gjatë qëndrimit atje ai u shoqërua me një grua nga SHBA e cila punonte në Ambasadën e SHBA-së. Puna e saj ishte e lehtë. Çdo mëngjes, merrte udhëzime të qarta nga Uashingtoni, se çfarë duhet të bënte Kamboxhia me ekonominë e saj të trazuar. Ajo personalisht ia përcillte udhëzimet ministrit kamboxhian të ekonomisë. Meqenëse Uashingtoni kishte disa nga ekonomistët më të mirë në botë, kjo në pamje të parë mund të konsiderohej një ndihmë e vlefshme. Por rezultoi, një ndihmë që e privoi qeverinë kamboxhiane nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe kontrolli mbi Kamboxhian. Ndaj, kur Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga ndihma, qeveria e pafat u rrëzua.

Teksa lexoj titujt e gazetave, për rrezikun e kapjes së SPAK nga qeveria, Ambasadorja Yuri Kim i ngjan të dashurës amerikane të Kishore Mahbubani.  Sikurse ajo siguronte mësimet e "duhura" të importuara nga Uashingtoni për ekonominë kamboxhiane,  ashtu edhe Ambasadorja nuk kurseu asgjë të siguronte që drejtësia e re funksionon në Shqipëri. Ndërsa SPAK, më duket si qeveria e "pafat" e Kamboxhias,  i destinuar "të bjerë" apo të kapet nga forcat e brendshme të errëta sapo Ambasadorja të lërë vendin!

Kjo padyshim nuk është drejtësia e re që kërkonte populli shqiptar , në emër të të cilit fliste lirshëm Ambasadorja e SHBA-së, edhe nuk jam më e sigurt nëse ndonjeherë do ta kemi një të tillë .

Për këdo që ka kaluar disa kohë në korridorret e pushtetit, që ka qenë i vemendshëm për të dëgjuar edhe analizuar, e ka kuptuar se në çdo vend ambasadori amerikan është në një situatë unike në krahasim me ambasadorët e tjerë.  Fuqia dhe aksesi janë të vetëkuptueshme, janë të lindura nga ndikimi që shoqërohet me të qenit përfaqësuesi i një superfuqie.  Siç thoshte shpesh Richard Holbrooke, diplomacia është gjithmonë më efektive kur mbështetet nga aftësitë e besueshme ushtarake dhe fuqia ekonomike. 

 Por siç më shpjegonte dikur një mikeshë ambasadore, autoriteti i madh i ambasadorëve amerikanë mund të dëmtohet pikërisht nga cilësitë personale të ambasadorëve. Ambasadorëve të SHBA-së, të konfirmuar nga Senati i SHBA-së, u besohet që të japin mesazhe publike në vendin e tyre të akreditimit, pa pasur nevojë të kontrollojnë çdo linjë dhe nuancë me Uashingtonin.

Pikërisht, me dëshirën e saj të dukshme për një audiencë të gjerë, e ndikuar shpesh nga marrëdhëniet personale me liderat e vendit, me ndërhyrjet e saj të forta e patronizuese, nuancat edhe linjat që ofroi ambasadorja në komunikimin publik, ishin ndryshe nga vijueshmëria me të cilën publiku ishte mësuar.  Ato ishin shumëngjyrëshe, aspak të barazlarguara nga palët edhe larg gjuhës së kujdesshme diplomatike amerikane. Kjo çoi që për herë të parë në 32 vjet të lëkundej besimi i popullit shqiptar tek efektiviteti i mbështetjes amerikane.

U mbetet ekspertëve të gjeopolitikës ta vlerësojnë profesionalisht aktivitetin e saj, por ambasadorja mbase pa padashur na ka berë një shërbim edhe më të vlefshëm se mbrojtja e SPAK-ut nga kapja. Ajo këputi spirancën e vetëmashtrimit tonë se institucionet edhe demokracinë do na e mbrojnë ambasadorët!


Copyright © Gazeta “Si”