Ekspozite

“E dashur Sadije…” Hapet ekspozita me letrat e dashurisë së Dritëro dhe Sadije Agollit

Nga Gazeta “SI”“E dashur SadijeDo të të shkruanja më parë por pata frikë se vallë a do të ishe në shtëpi dhe nuk do ta prisje letrën time. Më the se do të shkonje në Shëngjin. Le që ç’të të shkruaj! Unë vij kaq shpesh në Shkodër tek ti, saqë posta me tërë ato mekanizma mbetet prapa. Në Tiranë tani bie shi dhe unë mendoj për ty. E gjora them , shkoi në plazh të prehet. Në vend të rrezeve të diellit gjeti erë dhe shi. S’ke çtë bësh, kur nuk i ec të varfërit njeri”

Kjo është vetëm një pjesëz e një prej letrave të cilat Dritëro Agolli i dërgonte të fejuarës së tij Sadijes, vajzës sharmante nga Shkodra, e cila ishte shndërruar në dashurinë e madhe të shkrimtarit e po ashtu në muzën e tij.

Një dashuri 52-vjeçare e cila mbarti brenda vetes të gjitha ndjesitë njerëzore, dashurinë, përpjekjet, mundimet dhe lehtësimet.  Sadije Agolli përveçse bashkëshortja dhe muza e Dritëroit, ka qënë për shumë vite dhe redaktorja e librave të tij. Dashuria e tyre ishte dhe mbeti sublime deri në fund. Të gjitha këto detaje thuajse intime të jetës të konkretizuara në letra, janë tashmë të ekspozuara në shtëpinë Muze Agolli.

E lindur në qytetin e Shkodrës, Sadija e apasionuar pas letërsisë, do të niste studimet në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë.

Do të ishte një tjetër dashuri shkrimtarësh e kurorëzuar që do të bëhej shkak që Sadija të njihte Dritëroin. Ata u njohën në dasmën e Ismail Kadaresë me Helena Kadarenë.

Dhe më pas për më shumë se gjysmë shekulli, Sadija do të ishte shpesh dhe personazh i librave të Agollit e gjithashtu mbështetësja më e madhe e tij.

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija do të botonte librin e saj me letërkëmbime dashurie të titulluar “Dashuri në moshën e Krishtit”.

Libri përmban letra të shkruara gjatë viteve 1964-1965, menjëherë pas njohjes dhe lidhjes së fortë me njëri-tjetrin. Njëri në Tiranë e tjetri në Shkodër, gjatë atyre dy viteve pritjeje për t’u bashkuar për gjithë jetën, ata shkruan shumë letra dashurie. Janë 44 letra të shkruara nga Dritëroi dhe 20 nga Sadija. Në këtë libër Sadija tregon gjithë dashurinë e një gruaje ndaj një burri.

Me 4 korrik 1965 Sadija i shkruante Dritëroit : “E shtunë, vesha fustanin e bardhë ; Kisha zgjedhje edhe kostumin kombëtar, por ishte mjaft i ngarkuar dhe rëndonte shumë. Unë isha 54 kg dhe benevrekët më rrinin të mëdha. Ai ishte një kostum popullor i trashëguar, që kalonte nga një nuse te tjetra. Më përgatitën dy gra , duke më lyer fytyrën me sarikan. Por ajo ishte tepër e fortë për lëkurën time të bardhë, me cipë të lëmuar e tejet të bardhë ,lëmuar vetëm me ujin e ftohtë të çezmës.

Kështu lëkura u acarua dhe u skuq vende-vende dhe vetëm me fasho prej lecke të lagura me ujë të ftohtë u kthye në gjendjen e mëparshme . Dasmën e bëmë në oborrin e shtëpisë sonë , vilë e bukur dykatëshe , me shumë lule , me dy selvi të larta , me një portë të madhe e të rëndë druri. Ishin ftuar tërë të afërmit ; isha fëmija e parë në shtëpinë tonë të madhe me dhjetë fëmijë , 5 djem e 5 vajza, që mbarova shkollën e lartë”

Por në ekspozitë siç thekson dhe drejtoresha e Muzeut Anisa Ymeri , përveç letrave janë ekspozuar dhe objekte të cilat shkrimtari i përdorte gjatë kohës që ishte gjallë.

“ E gjithë merita e kësaj ekspozitë i shkon së bijës së shkrimtarit , Elona Agolli e cila ofroi me shumë përkushtim objekte, dorëshkrime e madje dhe veshje të Dritëroit dhe Sadijës, të cila u menduan të ekspozoheshin për ti sjellë të dy më të gjallë pranë publikut” tha Ymeri.

Shkurti duke qënë muaji i dashurisë, krijon dhe simbolikën e kësaj ekspozite e cila në thelb të saj ka letrat e dashurisë mes Dritëroit  dhe Sadijes.

“ Ne kemi menduar që kjo ekspozitë të hapet pikërisht në muajin Shkurt i cili është dhe muaji i dashurisë. Secili prej vizitorëve do të ketë mundësinë të shkruajë një letër dashurie me stilolapsin autentik të shkrimtari dhe në tryezën ku ai ka shkruar për shumë vitë” shtoi më tej Ymeri.

Por muzeu përtej letrave ka dhe shumë objekte të tjera të cilat kanë qënë prezente në shtëpinë e tyre përgjatë gjysëm shekulli.   Stilolapsa, dorëshkrime ,libra, piktura të shumta , divanët karakteristikë të cilët pritën për shumë vite miq dhe të afërm të çiftit e deri të aparatet fotografikë të cilët duke qënë të shumtë në numër dhe në lloj, dëshmojnë afeksionin e Dritëro Agollit për fotografinë.

Ekzpozita do të qëndrojë e hapur përgjatë të gjithë muajit shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë