Futboll

E bujshme, Elseid Hysaj pranë kalimit te PSG

Elseid Hysaj është emri më i përfolur nga futbollistët shqiptarë në merkato. Mbrojtësi shkodran është përfolur prej disa kohësh që do të largohet nga Napoli dhe destinacionet kanë qenë të shumta. Milan, Interi, Çelsi dhe tashmë pista më e re që është hapur për mbrojtësin shqiptar është PSG. Konfirmimi për këtë mundësi këtë herë vjen nga mediet përtej Adriatikut që shkruajnë se Elseid Hysaj është shumë pranë transferimit në kampionatin francez.

PSG dështoi edhe këtë sezon që të merrte trofeun e Ligës së Kampionëve, i vetmi që mungon në historinë e suksesit të 8 viteve të fundit, kur klubi është në pronësi të sheikëve arab. Edhe pse nën monitorim të rreptë nga UEFA, PSG sërish nuk ka ndërmend të ndalet, por planifikon që të bëjë dy ose tre goditje të rëndësishme në merkato. Njëra prej afrimeve të kësaj verë nga trajneri Tukel është kërkuar në repartin e mbrojtjes, aty ku Dani Alvesh nuk ofron shumë garanci edhe për sezonin e ardhshëm, për shkak të dëmtimeve të shpeshta, por edhe moshës, pasi tashmë i ka kaluar 35 vjeç.

Drejtuesit parizien janë duke monitoruar situatën e mbrojtësve të djathtë në merkato. Mes shumë alternativave, ai që duket më i predispozuar për të zbarkuar në Paris këtë verë, duket shqiptari Hysaj. Mbrojtësi shkodran do të shkonte te PSG për jo më pak se 35 milionë euro. Kjo rënie me 5 milionë euro në çmim për Hysaj vjen edhe për shkak të formës së këtij viti, ku për shumë ndeshje trajneri i Napolit, Ançeloti nuk e ka preferuar nga minuta e parë. Nëse do të konkretizohej ky kalim i Hysajt te PSG, ai do të bëhej lojtari i tretë shqiptar që luan me këtë klub, pas Edvin Muratit dhe Lorik Canës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë