Futboll

E ardhmja e Champions, Ceferin mbron formatin aktual

E ardhmja e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik europian, Champions League gjithmonë dhe më shumë po vihet në diskutim. Një herë SuperChampions dhe një herë tjetër Superliga Europiane janë të gjitha propozime që vënë në diskutim formatin aktual Champions League.

Për këtë çështje ka folur edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Në një prononcim për agjencinë e lajmeve, “Associated Press”, Ceferin ka thënë se Champions është kompeticioni më i mirë futbollistik në botë dhe ende askush nuk di gjë nëse do të ketë ndryshime në formatin e tij apo jo.

Për të gjithë ata që kanë folur për ndryshime dhe një ridimensonim të formatit të këtij kompteicioni, Ceferin ka thënë se fillimisht çdokush duhet të kujdeset për futbollin brenda vendit të tyre dhe më pas për atë kontinental.

“Kemi kompeticionin më të mirë në botë prej shumë kohësh. Për momentin nuk e dimë kur dhe nëse do të aplikohen modifikime. Kështu që ata të cilët kritikojnë çdo ditë, duhet të nisin të kujdesen për futbollin në vendet e tyre. Jam i sigurt se nuk ka asgjë për të kritikuar”, deklaroi Ceferin.

Gjithsesi numri një i futbollit europian nuk ka mohuar se në të ardhmen mund të ketë sërish ndryshime në dizenjimin e dy kompeticioneve të mëdha të futbollit për klube. “Në mënyrë konstante mendojmë të përmirësohemi. Motivi për të cilin je më i miri nuk nënkupton detyrimisht se nuk mund të përmirësohesh. Për momentin nuk kemi propozuar ende ndryshime, por kemi nisur tashmë të konsultohemi dhe të ndajmë idetë”, tha Ceferin për “Associated Press”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë