Rend dhe Ligj

E akuzuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, Alda Klosi transferohet nga spitali në paraburgim

Gazeta Si - Alda Klosi ka lënë spitalin pasditen e kësaj të enjteje për t’u transferuar në qelitë e paraburgimit te “Ali Demi” në kryeqytet pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore.

Ish-shefja e kabinetit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, u shtrua në QSUT për disa ditë pas arrestimit, e akuzuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie pas dëshmisë së pastrueses së saj, Rozeta Dobi.

Ndërkohë edhe kjo e fundit, e cila akuzohet për grabitjen e 520 mijë eurove në banesën e Klosit, ndodhet po ashtu në këtë burg të grave.

Burime nga burgjet, pohojnë se Klosi do të mbahet nën vëzhgim mjekësor edhe për disa ditë të tjera në një dhomë të veçantë, për t'u transferuar në vijim në një dhomë të zakonshme paraburgimi.

Një ditë më parë, 41-vjeçarja u la në burg nga Gjykata e Tiranës, ndërsa avokati i saj Ilirjan Muho mohoi që 400 mijë euro i takojnë klientes së tij.

Avokati tha se vetëm 120 mijë euro janë të Alda Klosit, me pretendimin se i kishte për kurimin e xhaxhait të saj, i cili ndodhet në SHBA i sëmurë.

Për shumën tjetër, ai theksoi se duhet pyetur pastruesja Rozeta Dobi, të cilën e akuzoi si "gëenjeshtare", pasi ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen.

Nga ana tjetër, në dëshminë e saj pastruesja pranoi se nuk kishte bërë asnjë vjedhje në shtëpinë e Aldës, por ka qenë kjo e fundit që ia ka dorëzuar paratë me qëllim mbajtjen e tyre në ruajtje.

Kjo gjë është bërë mes një marrëveshje verbale mes dy zonjave, pasi siç i kishte treguar Alda Klosi, ajo ishte e frikësuar, pasi herë pas here kërcënohej nga ish-burri, Altin Klosi.

Pastruesja më tej ka rrëfyer se për herë të parë ka konstatuar sasitë e eurove në krevat në vitin 2018 dhe në vijim deri në fund të vitit 2022, kur Alda Klosi ia kishte dorëzuar të gjitha me qëllim, ruajtjen e shumës financiare. Megjithatë, këto pretendime pritet të zbardhen nga ana e Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë