Gazeta Si – Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Xhemal Lokën, bashkëshortin e 41-vjeçares Bedrie Loka, e cila i dha fund jetës në banesën e tyre në Sukth të Durrësit, duke pirë fostoksinë mëngjesin e 2 janarit 2024.
Xhemal Loka doli para togave të zeza këtë të hënë, ku iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”. 45-vjeçari akuzohet se shtyu bashkëshorten drejt vetëvrasjes dhe e kërcënoi në sy të një prej fëmijëve me thikë. Ndaj tij rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje në banesë.
Xhemal Loka: Debate kemi pasur, por nuk e kam dhunuar kurrë
Vetë Xhemal Loka pretendoi në sallë të gjyqit se kërcënime në telefon ka marrë edhe ai. ‘Debate kemi pasur, por kurrë nuk e kam dhunuar’, u shpreh 45-vjeçari i cili po ashtu ka rrëfyer edhe për atë çfarë kishte ndodhur një natë përpara ngjarjes së rëndë.
LEXO EDHE:
– Arrestohet bashkëshorti i 41-vjeçares së vetëvrarë në Durrës – Hetimi lëviz mes bullizimit në rrjetet sociale, te dhuna e të shoqit (video)
– Flet vëllai i 41-vjeçares që u vetëvra: Motrën e vrau bashkëshorti, jo Tik Tok-u. Kishte shenja dhune
“Nuk jam dakord me prokurorin. Kam marrë kërcënime dhe mesazhe në telefon. I kam thënë nuses mos u mërzit për foton, sepse dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë. Kur i nxorrën foton e dytë nuses i thanë që s’kemi mbaruar punë akoma. Edhe mua më kanë marrë në telefon persona që s’i njoh duke ofenduar nusen. Debate kemi bërë, por kurrë s’e kam dhunuar nusen. Kur u përmend në spital i thashë pse e bëre këtë veprim, tha “kam qenë shumë e mërzitur”. Një natë më parë diskutova me nusen që do të iki në Greqi. Do bëj një prokurë për fëmijët që t’i marrësh. Kudo që do të dalësh në pazar apo diku tjetër, shoqërohu me një fëmijë jo vetëm, përsa kohë ende fotot e tua janë në TikTok, që askush të mos flasë. Pas kësaj ajo u nxeh dhe në mëngjes ndodhi ajo që ndodhi”, mësohet të jetë shprehur Xhemal Loka.

Prokuroria: Nga dëshmitë dhe telefonat, ka prova se bashkëshorti e dhunonte
Po ashtu sipas prokurorit, Xhemal Loka ushtronte sistematikisht dhunë psikologjike e fizike ndaj bashkëshortes, pasi edhe njëri nga fëmijët ka deklaruar se prindërit kishin pasur gjithmonë debate. “Babi i ka thënë që do të të bëj të vrasësh veten”, mësohet të jetë shprehur njëri prej tyre para hetuesve.
Vajza e çiftit ka deklaruar se që prej një viti nuk i kanë pasur marrëdhëniet mirë dhe shpeshherë thoshte që do t’i japë fund jetës pasi ndjehej e lodhur nga gjithçka.
“Babi pengonte mamin të shkonte tek të afërmit e saj, duke ofenduar”, ka rrëfyer vajza. Edhe dy të miturit kanë dëshmuar për dhunë. Ndaj prokurori arsyetoi në sallë të gjyqit se kjo ngjarje është shkaktuar nga sjellja e bashkëshortit. Ai po ashtu është shprehur se në celularin e Xhemalit janë gjetur video e audio kërcënuese.
Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke caktuar arrest me burg për 45-vjeçarin.
Në pritje të seancës për masën e sigurisë, familjarët e Xhemal Lokës hedhin poshtë akuzat e ngritura ndaj 45-vjeçarit, duke mohuar përfshirjen e tij në vetëvrasjen e Bedrie Lokës, nënës së 4 fëmijëve.

Ndërsa tregojnë detaje mbi ngjarjen nga këndvështrimi i tyre, vëllai i tij, Fatmir Loka dhe e ëma, Sanija kërkojnë që të zbardhet çështja dhe të mos rëndohet pozita e Xhemalit që deklaron se ai e ka mbështetur edhe për situatën e krijuar në internet.
“I ka dhënë kurajë, i ka thënë do ta gjej kush është (ai/ajo që hapi profilet e rremë). Ka folur me vëllezërit e asaj që hodhi fotot, u ka thënë hiqini. U ka thënë hiqni gjithçka që është në internet“, u shpreh Fatmiri para mediave.
Ai hedh poshtë çdo akuzë ndaj vëllait të tij, Xhemal Loka, duke thënë se ai e kishte mbështetur gjithnjë bashkëshorten.
Madje tregon me detaje ditën kur Bedria ka qenë në spital dhe sipas tij i kanë qëndruar afër. Bedria i dha fund jetës së saj duke konsumuar fotoksinë, akt për të cilin Fatmiri shprehet se pak para se të vdiste u ka kërkuar falje.
Unë kam qenë dy herë te spitali “Nënë Tereza” dhe e kam pa, ka qenë në gjendje kome, nuk ishte në gjendje fizike, nuk kishte mundësi në asnjë krah. Nga ora 12 deri në orën 14, vazhdoj të përmendet Bedria. Kemi hyrë brenda, na kanë lejuar të futemi, – tregon Fatmir Loka. – Po kemi komunikuar, edhe unë, edhe vëllai, edhe goca e vëllait Rozalinda. Na ka kërkuar falje pse piu helmin”.

Dëshmia e nënës së Xhemal Lokës: Djali ia la telefonin të motrës
Nëna e Xhemal Lokës, në një deklaratë për mediat jashtë gjykatës ku po mbahet seanca për djalin e saj, mohon se celulari i tij u fsheh qëllimisht.
Sipas saj, 45-vjeçari ia la telefonin motrës, kur në shtëpi erdhën forcat e policisë për ta shoqëruar drejt Komisariatit.
“Telefonin e ka lënë në divan, në tavolinë. Unë me dy vajzat isha atje. Erdhën, u ulën fëmijët. Më pas, erdhi policia dhe mori Xhemalin. Ishte ora 12-12:30. Djali tha po e le telefonin këtu, jepja motrës. Erdhi Rozalina, mori telefonin dhe i tha vajzës që rri në Tiranë, merre këtë telefon, mbaje aty. Erdhi polici natën, ne ishim në gjumë, si e mori telefonin ashtu. I thamë nuk kemi asgjë. Vajza ia ka thënë telefonin”.
Ndërkohë, në seancë, prokurori i çështjes së vetëvrasjes së Bedrie Lokës deklaroi se ndalimi i bashkëshortit të saj, Xhemal Lokës, është i ligjshëm dhe kërkoi masën e sigurisë arrest me burg, pasi konsiderohet person me rrezikshmëri.

45-vjeçari Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.
Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Shkaktim i vetëvrasjes” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as pista e vrasjes.
Pas arrestimit Loka ka deklaruar se bashkëshortja u vetëvra për shkak se nuk përballoi bullizmin në rrjetin social TikTok.
Por dëshmitë e fëmijëve dhe pretendimet e familjarëve të viktimës, si dhe videot e gjetura në celularin e të arrestuarit konsiderohen prova për dhunën e vazhdueshme që ushtrohej ndaj 41-vjeçares, e cila përballej prej një viti dhe me thashethemnajën e nxitur kundër saj përmes shpërndarjes së fotove me fyerje në rrjetin social.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.