Drejtësia

Dyshohet se porositi dhunën ndaj ish-gruas, SPAK çon në gjyq dosjen ndaj avokatit Alban Bengasi

Gazeta Si - SPAK ka dërguar për gjykim Alban Bengasin, i arrestuar si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”, pasi akuzohet se ka porositur Nuredin Dumanin dhe Elio Bitrin për të dhunuar ish-bashkëshorten.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bengasi, ish bashkëshorti i të dëmtuarës Blerta Ruçi, për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës.

Madje ai do të jepte shumën 120 mijë eurove duke kërkuar deri në eliminimin fizik të ish-bashkëshortes.

Festim Qoli, është personi që ia ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani.

"Ndërsa i pandehuri Nuredin Dumani, është  personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar lëvizjet dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është  ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes”, - thotë SPAK.

Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Eljo Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.

Alban Bengasi akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë