Ngjarje

Dyshohet se nuk e kreu krimin e vetme, krushku i familjes Meta: Hygerta nuk mbyt dot një pulë!

Gazeta Si - Dyshimet e policisë se Hygerta Meta mund të mos e ketë kryer e vetme vrasjen e babait të saj, shtohen edhe më shumë pas deklaratës së krushkut të familjes Meta.

Djali i tij ka për nuse vajzën tjetër të Pëllumb Metës dhe i pyetur nga mediat për ngjarjen e rëndë, ka deklaruar.

“Dëgjo, nuk dua të futem në këto çështje, se këto janë çështje personale, familjare, ajo vajza nuk mbyt dot një pulë, jo një njeri”, tha ai.

Hygerta Meta ishte studente në Tiranë dhe njihej nga të gjithë si vajzë e respektuar. “Më gjatë siç e ka pranuar ajo nuk di ç’të them, sepse ato janë çështje të brendshme. Vajza ka qenë shumë e mirë, studente, vajzë e respektuar. Nuk të shkon mendja fare që ajo ta bëjë këtë veprim”, tha krushku i familjes.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen, sepse dyshon se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë.

Është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit dhe nga këqyrja paraprake është vërejtur se ishte lidhur me litar para se të varrosej.

Hygerta pretendon se ishte vetëm në shtëpi kur e vrau të atin me pistoletë, në trupin e të cilit paraprakisht raportohet të jenë gjetur 4 plagë.

Vrasja sipas 19-vjeçares ndodhi në katin e 2 të shtëpisë. Më pas ajo e mori trupin e pajetë të të atit, e mbështolli me qese dhe e tërhoqi deri në oborr.

E çoi po e vetme drejt kasolles, dhe aty hapi një gropë të thellë, 1 metër e gjysmë. Makinën e viktimës e transportoi drejt plazhit, ku u gjet e parkuar.

Sa i përket armës së krimit, e reja raportohet të ketë dhënë disa versione; një herë ka thënë se e ka hedhur në det, e një herë tjetër se e ka groposur.

Të gjithë këto detaje, së bashku me misterin që shoqëron vendndodhjen e armës së krimit, sipas burimeve, bëjnë që hetuesit të dyshojnë se 19-vjeçarja nuk e ka kryer e vetme këtë krim të rëndë.

Dyshimet kryesore janë se është ndihmuar nga nëna dhe vëllai i saj i madh, që vijojnë të merren në pyetje në polici.

Një tjetër pikëpyetje mbi këtë ngjarje është koha kur ka ndodhur krimi dhe ku ndodheshin pjesëtarët e tjerë të familjes. Hygerta pretetendon se ajo ishte vetëm me të atin gjatë kohës kur e vrau dhe e groposi.

19-vjeçarja rezulton studente në Universitetin e Tiranës për degën e menxhim biznesit. “Ne e njohim për familje shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë lloj dyshimi se çfarë konfliktesh kanë në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth 2 javë që na kanë thënë, që nuk ka ardhur në shtëpi, ka humbur. U interesonim, pyesnim nëse është gjetur, absolutisht. Më vonë kemi marrë vesh që është gjetur makina tek Parku rinia. Sot na njoftuan që është gjetur”, tregoi krushku i viktimës.

Ngjarja që tronditi Durrësin në fshatin Shënavlash, e ka zanafillën 10 ditë më parë, kur Pëllumb Meta u denoncua i humbur. Pas verifikimesh u zbulua se ai ishte vrarë dhe varrosur në kasollen e bagëtive.

Motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që ata kanë pasur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë