Kosova

Fshehën armë në Banjskë? Mbi 20 murgj në polici. Manastiri Deçanit: S’është e vërtetë, s’kishte armë në ndërtesë

Nga Gazeta ‘Si’ - Pasi mori në kontroll manastirin e Banjskës ku gjeti qindra armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, policia e Kosovës shoqëroi gjatë natës 20 murgj në Drejtorinë e Policisë.

20 murgjit dyshohen si bashkëpunëtorë të grupit terrorist, prej 30 syresh, i cili u mbyll gjatë ditës brenda manastirit të Banjskës nga ku vijoi sulmet ndaj efektivëve të policisë së Kosovës.

LEXO EDHE:
Policia e Kosovës publikon pamjet e armëve dhe pajisjeve ushtarake të zëna në Manastirin e Banjskës

“Policia e Kosovës gjatë mbrëmjes së djeshme ka vijuar aksionin për gjetjen e grupit terrorist. 20 prej tyre u larguan nga manastiri i Banjskës. Janë shoqëruar 20 burgj në Drejtorinë e Policisë së Kosovës për hetimin dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve se mund të kenë qenë bashkëpunëtorë dhe për të parë nëse ata kanë bërë të mundur fshehjen e këtyre armëve”, raportoi gazetari i A2CNN, Julian Kasapi.

Sipas informacioneve të mbrëmshme nga Policia e Kosovës,përpos armëve, brenda manastirit u gjetën edhe qindra uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj.

Sot policia e Kosovës ka në kontroll gjithë perimetrin e Manastirit në Banjskë të Zveçanit por edhe të gjithë fshatin. Një grup i disa makinave të blinduara të EULEX-it gjithashtu ka shkuar atje.

Por në mesditë, Manastiri i Deçanit ka deklaruar se armatimi nuk është gjetur brenda atij të Banjskës.

“Ka një rritje të dezinformatave dhe lajmeve të rreme që po përhapen për ngjarjet tragjike të djeshme në Kosovë. Përfaqësues ndërkombëtarë kanë konfirmuar se Policia e Kosovës pas një kontrolli dje pasdite ka zbuluar armë vetëm brenda veturave të braktisura të sulmuesve të armatosur afër manastirit.

Por në bastisjen brenda Manastirit dhe ambienteve të tij, nuk është gjetur asnjë armë sipas burimeve ndërkombëtare në Kosovë. Kisha nuk kishte absolutisht asgjë me këto ngjarje tragjike dhe murgjit me pelegrinët u kapën vetëm në mes të zjarrit. Falë Zotit, askush në Manastir nuk u lëndua. Pelegrinët pritet të largohen sot për në shtëpi”, thuhet mes tjerash në reagimin e Manastirit të Deçanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë