Futboll

Dyshimet e largimit të Gegës, oferta arabe dhe Zeman kandidat

Largimi i beftë i Skënder Gegës nga Partizani ka rikthyer edhe një herë debatin për institucionin e trajnerit në Shqipëri. Sigurisht, çështja është komplekse, ku secila ka fajin e vet. Edhe vetë trajnerët nuk bëjnë aq sa duhet për të qenë më komodë në detyrën e tyre të vështirë, por shpesh u nënshtrohen tekave të presidentëve të klubeve. Debati është shumë i gjerë dhe mendimet janë nga më të ndryshmet. Analisti Redi Jupi, në emisionin e fundit të “Procesit Sportiv”, akuzoi hapur trajnerët shqiptarë se kanë tendencën t’ia fusin njëri-tjetrit. Vërtet për të ardhur keq…

Po me Skënder Gegën, çfarë ndodhi realisht? Si ka mundësi që trajneri që i ktheu titullin Partizanit pas 26 vitesh të largohet pas këtij suksesi? A ka një prapaskenë në këtë histori? Dyshimet janë, madje të forta. Pak kohë më parë trajneri Gega kishte rinovuar, ndërsa drejtuesit e klubit të kuq e konsideronin atë si njeriun që do të bënte historinë te Partizani, duke bërë edhe krahasime me trajnerët më jetëgjatë në Europë. Zyrtarisht është thënë se Gega është larguar për arsye personale, si nga vetë trajneri, ashtu edhe nga klubi. Por asnjëra nga palët nuk ka folur publikisht, me zë dhe figurë, ka mjaftuar vetëm një postim i ftohtë në faqen e klubit. Duket se ka diçka që nuk shkon… Po ashtu, dalja “rrufe” e emrave të kandidatëve për stolin e kuq i shton disi dyshimet për largimin e trajnerit. Nuk duket një ndarje me konsensus mes palëve.

Trajneri i Partizanit, Skender Gega, i emocionuar pas fitimit të titullit kampion

Një ditë pas lajmit të largimit të trajnerit Gega, për drejtorin e përgjithshëm të Partizanit, Olsi Ramën, është thënë se ndodhet në Itali për çështjen e drejtuesit të ri teknik të të kuqve. Zdenek Zeman, ish-trajner i Romës dhe shumë skuadrave të tjera në Itali, është emri i madh që u bë publik ditën e hënë si një kandidat për t’u ulur në stolin e Partizanit. Emri është vërtet i bujshëm, por në moshë të thyer dhe jo aq i mbajtur sa trajneri i Kombëtares, Edi Reaja. Për momentin Zeman është hipotezë, ashtu si dhe Andrea Agostineli, që e ka drejtuar Partizanin pak sezone më parë. Janë lëvizje që po bëhen me ndërmjetësinë e drejtorit sportiv të Lacios, Igli Tare. Pra, drejtuesit e klubit të kuq nuk u gjendën aspak të papërgatitur nga largimi i Gegës. Shtohen dyshimet për një përplasje të mundshme mes palëve.

Zdenek Zeman, kandidat për të marrë drejtimin e Partizanit

Një tjetër element që mund të ndihmojë për të kuptuar, nëse vërtet Gega kishte arsye personale dhe vendosi të largohet, apo ishte një shkarkim, është se për trajnerin është në “tavë” një ofertë arabe. Një ofertë, që thuhet se trajneri e ka marrë prej kohësh, por ka vazhduar punën me Partizanin. Nëse së shpejti ai prezantohet në klubin arab që e kërkon, atëherë kuptohet qartë se kemi të bëjmë me një shkarkim të Gegës nga stoli i kuq. Koha do të vërtetojë gjithçka dhe ndoshta ndonjëra nga palët do të vendosë të flasë hapur për këtë çështje, që nuk ndikon për mirë te Partizani, kur ky ekip duhet të bëhet gati për aventurën europiane.

Nga trajnerët shqiptarë, deri tani ka dalë në skenë si kandidat vetëm Ilir Daja. Trajneri kryeqytetas drejtoi Flamurtarin sezonin e fundit, duke bërë një punë të shkëlqyer me një ekip, që nuk paguhej. Por edhe në këtë rast është fjala për një hipotezë. Emri i Ilir Dajës përflitet edhe te Skënderbeu, nëse ky ekip merr një përgjigje pozitive nga KAS-i.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë