Politike

Dyshime për qendrat italiane të pritjes në Shqipëri! Nga mbikëqyrja te lejet, të gjitha pikat e marrëveshjes për t’u sqaruar

Marrëveshja është menaxhuar drejtpërdrejt nga Palazzo Chigi. Ka akoma paqartësi për çështjen e juridiksionit dhe kompetencave të gjykatësve italianë dhe shqiptarë, si ajo e menaxhimit të sigurisë dhe transferimeve. Ashtu si dhe për riatdhesimet e refugjatëve

Gazeta Si - Qendra e parë e pritjes do të jetë në portin e Shëngjinit (Lezhë), në italisht San Giovanni di Medua.

Modeli i "qëndrimit për riatdhesim", siç e përshkroi dje kryeministrja Giorgia Meloni, do të jetë në Gjadër, një ish-bazë ushtarake e përdorur gjatë Luftës së Ftohtë në Shqipëri, e pajisur me një aeroport.

Ky do të jetë destinacioni i 39 mijë emigrantëve në vit të shpëtuar në Detin në Mesdhe nga anijet italiane - jo OJF - të mbyllura në dy struktura të ndërtuara nga Italia, pak më shumë se 20 kilometra larg njëra-tjetrës, në territorin shqiptar.

LEXO EDHE:
Mediat italiane zbardhin prapaskenat: Marrëveshja për emigrantët u arrit gjatë vizitës së Melonit në Vlorë

Pas nënshkrimit të memorandumit të parë të mirëkuptimit në Romë, tani do të jetë e nevojshme të përcaktohen në nivel ligjor dhe rregullator pikat kyçe të paktit të nënshkruar me Shqipërinë.

Po ashtu, pritet të përcaktohen kufijtë e juridiksionit të gjykatësve shqiptarë dhe kompetencat e italianëve në vendosjen e pozicionit të emigrantëve të mirëpritur, rregullat e angazhimit të forcave policore të dy vendeve në mbikëqyrjen e brendshme dhe të jashtme të strukturave, kompetencat në transferimet dhe riatdhesimet e atyre refugjatëve që refuzohen pas kërkesës për azil.

Këto janë çështjet që do të duhet të zgjidhin teknikët e Ministrisë së Brendshme italiane, duke nisur nga ajo që ka të bëjë me mundësinë ose jo që emigrantët të mund të largohen nga qendra e pritjes fillestare - ku do të kryhen procedurat e zbarkimit me identifikimin e tyre - siç ndodh në Itali.

A do të jetë kështu edhe në Shqipëri? Apo do të jetë e pamundur që emigrantët të largohen nga qendrat, duke i shndërruar ato në vende të paraburgimit, ndërsa presin shqyrtimin e rasteve të tyre?

BE rekomandoi që "marrëveshja të respektojë ligjin e komunitetit ndërkombëtar". Dje ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi nuk ishte i pranishëm në takimin me kryeministrin Edi Rama - negociatat janë menaxhuar gjithmonë drejtpërdrejt nga Palazzo Chigi - por megjithatë ai mori pjesë në fazat përgatitore të marrëveshjes.

Dhe tani do të jetë në dorën e zyrtarëve të ministrisë së tij që të menaxhojnë realizimin e një pakti që paraqet ende disa çështje kritike.

Gjithashtu, ngaqë mbikëqyrja do të menaxhohet nga policia shqiptare me praninë e personelit italian, do të duhet të identifikohen rregulla që respektojnë sovranitetin e të dyja shteteve fqinje.

Parimi që duhet të rregullojë të dy strukturat pritëse duhet të jetë i ngjashëm me atë që rregullon zyrat diplomatike dhe njësitë detare në ujërat ndërkombëtare. Sipas mediave italiane, nuk përjashtohet mundësia që në muajt e ardhshëm të ketë një akt formal ekstra-territorialiteti.

Me pak fjalë, në fund, juridiksioni i brendshëm i qendrave do të jetë italian, siç ka shpjeguar vetë Meloni, me staf italian, ndërsa autporitetet shqiptare do të jenë përgjegjëse për sigurimin e mbikëqyrjes së refugjatëve në kamp.

Deri në çfarë pike? Po në rastet kur mund të ketë probleme të rendit publik? Një emigrant i arrestuar do të dalë para një gjykatësi italian apo shqiptar? Hipoteza më e besueshme është përdorimi i patrullave të përbashkëta, por edhe për këtë skenari mbetet i hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë