Kombetarja

Dyseldorfi vishet kuqezi 4 muaj para Europianit, mirëpret kombëtaren shqiptare (Video)

Nga Gazeta Si - Që nga fundi i vitit 2023 dhe fillimi i 2024-s, Gjermania ka filluar t'u japë jetë motiveve të Euro2024-s, aktivitetit më të madh futbollistik të kontinentit të vjetër.

Kuqezinjtë, të kualifikuar për herë të dytë në finalet e një Europiani, pas Francë 2016-ës, këtë herë konsiderohen skuadra surprizë, duke qenë se u kualifikuan të parët në grup dhe lanë pas Çekinë dhe Poloninë.

Baza kuqezi në Gjermani do të jetë në afërsi të Dortmundit, ‘SportCentrum Kaiserau’, ku përfaqësuesja e Shqipërisë do të jetë nga 8 qershori.

Flamuri kuqezi në metrotë e Dyseldorfit

Edhe pse në Dyseldorf kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit të grupit, atë ndaj Spanjës më 24 qershor, që tani me sa duket qyteti i ka dhënë mirëseardhjen Shqipërisë, në gjuhën shqipe dhe me flamurin tonë të dizenjuar në metro.

Shqipëria do të startojë finalet e Europianit me ndeshjen ndaj Italisë në Dortmund, më 15 qershor dhe më 19 qershor ndaj Kroacisë në Hamburg.

Shqipëria, përpara se të udhëtojë për në Gjermani, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin mars, përballë Kilit në Parma të Italisë më 22 mars dhe në Stokholm ndaj Suedisë 3 ditë më pas.

Në fund të muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë për grumbullimin 10-ditor, ku do të luajnë përballë Lihtenshtejnit dhe një tjetër ekipi të këtij niveli, që ende nuk është zyrtarizuar, për të qenë rreth 4 ditë përpara fillimit të Europianit në bazën kuqezi në Dortmund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë