Një numër i madh emigrantësh i janë drejtuar këtë fundjavë Shqipërisë, duke krijuar një fluks të lartë në Portin e Durrësit.
Raportohet se 5 tragete me rreth 6500 emigrantë, që kthehen për pushime në atdhe, me rreth 1500 makina, kanë mbërritur në orët e paradites së sotme.
Kapiteni i Portit, Taulant Allka, është shprehur se edhe pasdite priten dy tragete me rreth 4000 pasagjerë e 800 makina, duke shënuar kështu pikun e trafikut detar në mbërritje.
Raportohet se tragetet po punojnë “dopio-corse”, duke bërë dy rrugë në ditë, për shkak të fluksit të lartë.
Nga ana tjetër, 36 sportele janë të hapur për kalimin e pasagjerëve dhe makinave nga policia kufitare, ndërsa kapiteneria ka organizuar hyrjen e trageteve në kalata për të mos krijuar radhë dhe kaos në pikun e fluksit.
Sipas kapitenerisë, javën e ardhshme pritet që trafiku detar të drejtohet nga Porti i Durrësit drejt Barit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.