Ngjarje

Dy të prekurit nga Koronavirusi, djali erdhi nga Firence. Hyri nga Muriqani, infektoi edhe babain

Shqipëria konfirmon dy rastet e para nga Koronavirusi. Mësohet se babë e bir, 54 dhe 28 vjeç, me origjinë nga Puka, por banues në Tiranë në rrugën Irfan Tomimi janë të prekurit e parë nga Koronavirusi. Djali ka udhëtuar nga Italia dhe hyri nga veriu i Shqipërisë, duke kaluar pothuajse pesë pika doganore deri në kufirin shqiptar. Janë ngritur shumë pikëpyetje mbi faktin se nga cila pikë doganore kanë hyrë dy shtetasit, nga Hani i Hotit apo nga Muriqani. Ndërsa të dhënat e para nga ministria e Shëndetësisë pohuan se që të dy babë e bir kishin udhëtuar nga Firence, e pasi kishin qëndruar disa ditë ishin kthyer në Shqipëri. Por më pas rezultoi se nga Firence kishte ardhur vetëm 28-vjeçari, ndërsa babai i tij ka dalë dhe e ka pritur në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Por dogana atje ka pasur reagime që kanë rrëzuar ministrinë e Shëndetësisë, duke theksuar se djali nuk ka hyrë nga kjo pikë kufitare.

“Dogana e Hanit te Hotit deri tani rrëzon deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë. Shtetasi 28-vjeçar, për te cilin ministria ka dhëne emrin nuk rezulton se ka kaluar ne doganën e Hanit të Hotit por në atë te Muriqanit. Po ashtu babai i tij nuk rezulton i regjistruar as në Muriqan as në Hanin e Hotit. Efektivet e shërbimit në piken e Hanit te Hotit prej 4 orësh kanë kontrolluar sistemin, por nuk rezulton asnjë e dhënë. Madje sistemi është kontrolluar qe nga data 19 shkurt dhe nuk ka asnjë person me atë emër. Shtetasi P.K, 28 vjeç rezulton që ka hyrë drejt Shqipërisë nga Muriqani, ndërsa babai nuk rezulton i regjistruar në asnjë prej doganave. 28-vjeçari është larguar nga Shqipëria në janar dhe është rikthyer ne 26 shkurt”, bën të ditur Dogana e Hanit të Hotit. Pra është djali i ardhur nga Firence që ia ka transmentuar sëmundjen babait të tij, 54-vjeçar.
Ndërsa një tezë tjetër është që 28-vjeçari ka hyrë në Shqipëri më 24 shkurt, ndërsa pika kufitare Muriqanit po verifikon të dhënat e hyrjeve dhe daljeve nga sistemi TIMS.
Por kanë qenë vetë familjarët që të dielën e 8 marsit në darkë kanë telefonuar shërbimet e urgjencës që i kanë treguar simptomat që kanë, duke bërë që të përfshihen në karantinë menjëherë në spitalin Infektiv në QSUT.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë