Nga Anxhela Celanji – Shtrimet për shkak Covid-19 po shtohen dhe kapacitetet e spitaleve “Covid 1” dhe “Covid 3” janë duke u ezauruar. Kapaciteti i të dy spitaleve arrin në 270 shtretër, ndërkaq sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë ka 242 pacientë të shtruar. Ministria e Shëndetësisë i tha Gazetasi.al se kapacitetet e të dy spitaleve ende nuk janë ezuruar plotësisht dhe kur kjo të ndodhë do të hapet spitali “Covid 4”.
Ndërsa burime nga spitalet “Covid 1” dhe “Covid 3” i thanë Gazetasi.al se gjendja e pacientëve ndryshon gjatë gjithë kohës dhe mes tyre ka pacientë të rinj në moshë që shfaqin forma të rënda të sëmundjes. Burimet tregojnë se pjesa më e madhe e të shtruarve janë të pa vaksinuar ose të vaksinuar me një dozë. Sipas të dhënave zyrtare deri më tani 22 pacientë janë në gjendje të rëndë dhe shifrat e vdekjeve që nga fillimi i muajit shtator kanë ardhur duke u rritur ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë 7 pacientë.

Shtimi i rasteve me Covid pasqyrohet edhe në thirrjet e urgjencës kombëtare. Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar se telefonatat për Covid-19 ishin rritur bashkë me vizitat në banesë.
Sipas Brataj, numri i thirrjeve në ditë ka arritur deri në 1927 për Covid-19 ,ndërsa numri i vizitave deri në 467. Mjeku ka shtuar se rritja e numrit të telefonatave në drejtim të urgjencës ishte e pritshme me shtimin e rasteve.
“Shumica e telefonatave janë si pasoje e panikut që përfshin popullatën sapo dëgjojnë për shifra në rritje,” tha më tej ai.
Ndërkaq infektimet kanë filluar me rritje graduale që prej mesit të muajit Gusht dhe konfirmimin e variantit Delta në vendin tonë. Përgjatë fillimit të muajit të shkuar ka pasur shifra shumë të ulta të të infektuarve të cilat maksimalisht arrinin deri në 135 në ditë, por situata ndryshoi në Shtator. Që në fillim të muajit ka pasur 982 infektime në ditë dhe në datën 8 shtator u shënua numri më i lartë i infektimeve ditore me 1079 raste.

Në shifra rekord vijon të qëndrojë kryeqyteti me një numër total me raste aktive deri në 5410. Ndërsa në të gjithë vendin janë 12.700 raste aktive, shumë ndryshe nga një muaj më parë kur numri i rasteve aktive në të njëjtën datë ishte 4615.
Gjatë konferencës së Akademia e Shkencave një ditë më parë, ku u prezantua imunteti i tufës për 1527 banorë në vendin tonë, virologu Genc Sulçebe tha se nëse vijojmë në të njëjtat shifra nuk përjashtohet fakti që do të rritet sëmundshmëria dhe vdekshmëria në javët e ardhshme.
Ai theksoi se varianti Delta e ka ndryshuar situatën duke bërë që të konsiderohet një imunitet tufe më i lartë për të qenë më pak i rrezikuar nga infeksioni Sars-Cov-2. Ndërkaq mjeku epidemiolog në ISHP, Alban Ylli tha se rezultatet duhet të përkthehen për të ndihmuar në vijimësinë e situatës pasi imuniteti i tufës është i paktë dhe duhet të jemi të përgatitur për periudhën vjeshtë-dimër e cila pritet të jetë me intensitet të lartë. Duke u bazuar në të dhëna Ylli shpjegon se nëse në Prill, Tirana ishte qyteti lider për infektimet, tashmë qytetet e tjera janë të njëjta me të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.