Kombetarja

Dy rrugët paralele të Brojës dhe Kumbullës, një sprint drejt Euro 2024 për dy kuqezinjtë

Gazeta Si – Edhe katër muaj e gjysmë kohë deri në Europianin e Gjermanisë. Një periudhë kohe që është si një sprint final për dy nga futbollistët më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare: Armando Brojën dhe Marash Kumbullën. Pak a shumë situata është e njëjtë për të dy.

Për të qenë në listën zyrtare të Silvinjos për Euro 2024, si Broja, ashtu edhe Kumbulla, duhet ta mbërrijnë në kohë dhe në gjendjen e duhur. Të dy vijnë nga dëmtime të gjata dhe të dy kanë ndërruar skuadër deri në fund të sezonit.

Kanë lënë klubet e tyre me emër dhe kanë kaluar në skuadra të nivelit mesatar për të luajtur rregullisht. Një domosdoshmëri ko për të kapur formën e duhur sportive dhe për të mos munguar në Gjermani. Është një zgjidhje që e bëjnë edhe lojtarë të mëdhenj, pasi duan të mos humbasin kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare.

Pak më të lehtë e ka Broja. Sulmuesi kuqezi është kthyer nga dëmtimi pak më shpejt se Kumbulla. Ka luajtur me Çelsin, titullar dhe si zëvendësues, por kjo skuadër nuk i garanton minutat e nevojshme në çdo moment, ndaj dhe Fulhemi mund ta ndihmojë më shumë për të gjetur formën që kishte para dëmtimit.

Çdo gjë mund të ndodhë, por shanset e Brojës për në Gjermani janë të mëdha. Shpresat janë që lojtari të ngrejë formën duke luajtur me një skuadër të Premier Ligës, ku presioni nuk është si te Çelsi. Pastaj, Kombëtarja jonë nuk e ka luksin të lërë jashtë një sulmuesi si Broja.

Kumbullës i duhet më shumë punë. Ai ka nisur stërvitjen me grupin pas dëmtimit, por ende nuk ka luajtur asnjë minutë. Kalimi te Sasuolo i shërben pikërisht këtij qëllimi, që ai të fillojë të aktivizohet dhe të shpresojë që deri në qershor të kapë një formë të mirë sportive.

Edhe për mbrojtësin kuqezi, ashtu si për Brojën, nuk do të ketë presion te skuadra e re. Me pak fat, nëse nuk do të ketë shqetësime fizike gjatë kësaj periudhe, edhe Kumbulla mund të jetë gati në kohë për të mos munguar në Europianin e Gjermanisë.

Të dy këta lojtarë do të monitorohen gjatë gjithë kohës nga trajneri Silvinjo, që shpreson t’i ketë në listë. Sprinti final ka nisur për dy lojtarët, që kuqezinjtë kanë nevojë t’i kenë në skuadër në Euro 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë