Irena Beqiraj

Dy podcastet më pa vlerë në qytet!


Dy Podcaste të reja do të dëgjohen në qytet, ai i Ramës dhe i Berishës.

As të parët e as të fundit, një tendencë në rritje kjo në gjithë botën. Për shembull Hillary Clinton kishte një podcast të quajtur “Me të” gjatë fushatës së saj presidenciale të 2016-ës.

Kjo tendencë e re për podcastin e politikanëve nuk është e ndërlikuar për t'u zbërthyer. Duke pasur parasysh një traditë të gjatë të figurave politike që shkruajnë libra, (Basha ishte i fundit që publikoi libër në vigjilje të fushatës të vitit 2021) dhe podcastet po marrin një funksion shumë të ngjashëm. Përmes podcastit , një politikan mund të flasë drejtpërdrejt me publikun, gjë që i jep atij një platformë për të shkuar përtej politikës dhe për të ofruar një pamje më të gjerë të vetes. Si dukuri ushqehet padyshim nga rritja e dominimit personal në politikë por dhe nga klima mediatike gjithmonë dhe më e polarizuar.

Qëllimi kryesor i dy podcasteve që u prezantuan 1 javë më parë është t’i shërbejnë fushatës, por a janë ato një formë e përshtatshme për të arritur qëllime politike?

Në fakt eksperienca tregon se podcastet janë tërheqëse për publikun e gjerë  kur eksplorojnë pasigurinë. Ato janë një medium i mirë për të folur për atë që nuk dihet, për të qenë kurioz, i hapur dhe i sinqertë për të pranuar se mund të jeni gabim.

Ndërsa me politikanët ndodh e kundërta. Mesazhet politike të Ramës dhe Berishës gjithmonë kanë në qendër sigurinë.

“Kjo është e vërteta”, “Ju te gjithë e dini”, “Kjo është përgjigja jonë”, e të tjera e të tjera. Aty askush nuk do të informohet se nuk ka pasiguri, as organizatori e as dëgjuesi. Ndaj edhe episodet e tyre me shumë gjasa do të jenë transmetime të pasinqerta.

Është e qartë se do të këtë një grup njerëzish që do të kënaqen duke dëgjuar Berishën duke folur në mënyrë të zymtë për qëllimet e errëta të Ramës, sikurse  ekziston edhe një grupim që do të ekzaltohet duke dëgjuar lëvdimet e  Ramës për arritjet e pushtetit të tij, por për publikun e gjerë jo tifoz partiak,  përmbajtja e tyre do të jetë një përzierje  informacioni të pavlerë, me gjysmë të vërteta.

Më kujtohet që në 2017 ,York Times drejtësisht shkruante se episodet më të mira, më të sinqerta dhe më tërheqëse të podcastit të Clintonit u bënë pasi ajo humbi zgjedhjet, kur ajo u largua nga modaliteti i fushatës dhe thjesht u përpoq të analizonte atë që kishte ndodhur, si gjithë të tjerët.

Kur të dy mos të jenë më në skenën politike, mund të ofrojnë ndonjë episod interesant për t’u dëgjuar, (nëse podcastet e tyre do ekzistojnë).

 Sot ato janë podcastet më pa vlerë në qytet!


Copyright © Gazeta “Si”