Atletike

Dy medalje të arta në Stamboll, Luiza Gega shpallet kampione Ballkani për herë të 10-të

Gazeta Si - Luiza Gega nuk zhgënjen kurrë. Atletja jonë më e mirë është shpallur kampione e Ballkanit për herë të 10-të, duke fituar dy medalje të arta në Stamboll. Në këtë aktivitet Shqipëria ka marrë edhe dy medalje bronzi.

Në kampionatin ballkanik të altetikës në salla të mbyllura, të zhvilluar në Turqi, Shqipëria ka marrë pjesë me 9 sportistë. Luiza Gega u shpall kampione, pasi doli e para në garën e 1500 dhe 3000 metrave.

Në 1500 metra Gega regjistroi kohën 4 minuta, 15 sekonda e 84 të qindtat. Në vend të dytë doli Subatan Burxhu e Turqisë dhe në vend të tretë Koraini Kiriakopulu e Greqisë. Në 3000 metra atletja kuqezi arriti kohën 9 minuta, 7 sekonda e 3 të qindtat, duke lënë pas Pelinsu Shahin të Turqisë dhe Anastasia Panajota Marinaku të Greqisë.

Luiza Gega ka fituar 10 medalje të arta në kampionatet ballkanike të sallave të mbyllura, duke qenë kështu sportistja me më shumë suksese në historinë e këtij eventi.

Franko Burraj ka marrë medaljen e bronztë në garën e 400 metrave, me kohën 46 sekonda e 89 të qindat. Medaljen tjetër të bronztë Shqipëria e fitoi në stafetën 4x400 për femra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë