Kombetarja

Dy “krisma” turke në Shkodër, stadiumi shpërthen ndaj Panuçit

Zhgënjim i madh që në ndeshjen e parë kualifikuese për në Euro 2020. Shqipëria është mundur 0-2 nga Turqia, e vlerësuar si një rivale për vendin e dytë në Grupin H. Nga një gol i pësuar në çdo pjesë loje për gabimet tonat, siç ka ndodhur në të kaluarën. Irritim i madh nga ana e tifozëve ndaj trajnerit Panuçi dhe kore ofenduese ndaj tij. Trajneri Kristian Panuçi befasoi me formacionin, duke aktivizuar nga minuta e parë Ivan Balliun, i cili kishte zënë vendin e Eros Grezdës. Surpriza e dytë e trajnerit italian ishte aktivizimi i Bekim Balajt në sulm dhe jo i Armando Sadikut.

Ndeshja nisi në një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Loro Boriçi”. Shqipëria ishte pa fat në 45 minutat e para, që u mbyllën me rezultatin 0-1. Në të vetmin gabim të kuqezinjve nga Gjimshiti dhe Xhaka, Burak Jillmaz goditi saktë në portën e Berishës. Pjesa e parë u dominua nga Shqipëria, që ushtroi presion dhe krijoi të paktën tre raste të pastra shënimi. Balaj nuk goditi si duhet brenda zonës, Balliu u ndal nga portieri turk, kurse Uzuni nuk mundi të kontrollonte saktë një pasim të bukur nga Hysaj. Panuçi e nisi pjesën e dytë me të njëjtët futbollistë, duke pritur reagimin e të tijve, por Shqipëria mori goditjen e dytë shumë shpejt.

Turqia feston golin e parë

Lojtari i Milanit, Hakan Çalhanoglu, pas një inkursioni personal nga mesfusha turke, tundi rrjetën e Berishës me një të djathtë të fortë në hyrje të zonës. Kur turqit po festonin golin e dytë, në fushë kanë vërshuar shishet dhe kanë nisur koret fyese në gjuhën italiane ndaj trajnerit Panuçi nga tifozët e revoltuar. Jo vetëm trajneri, por edhe portieri Berisha ishte në shënjestrën e tyre, duke u konsideruar fajtor për golin e pësuar. Lënia jashtë e Strakoshës nga trajneri Panuçi dhe paraqitja e Berishës i ka acaruar tifozët, edhe pse nuk duhet fajësuar vetëm portiere për atë gol të pësuar, që u dha fund shpresave të Shqipërisë për pikë në këtë ndeshje.

Pas këtij momenti, Panuçi hodhi në fushë Grezdën dhe Sadikun, të cilët zëvendësuan Balliun dhe Balajn. Megjithatë, asgjë nuk ndryshoi. Skuadra jonë është dukur e dorëzuar dhe nuk ka mundur të shënojë as golin e nderit. Memushaj dhe Hysaj tentuan me gjuajtje drejt portës, por pa rezultat. Turqia e ka mbrojtur avantazhin e dyfishtë deri në fund, duke marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm në transfertë. Shqipëria ka zhgënjyer dhe shpresat për kualifikim janë venitur që në ndeshjen e parë në grup. Një humbje që do të pasohet me siguri me shumë polemika.

Trajneri Panuçi qëndron i ngrirë pas rezultatit 0-2

Shqipëri-Turqi 0-2
Shënues: Burak Jillmaz 21’, Çalhanoglu 55’
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Balliu (Grezda 58’), Xhaka, Abrashi, Memushaj, Uzuni, Balaj (Sadiku 58’). Trajner: K.Panuçi.
Turqia: Gynok, Kalldirim, Gonyl (Çelik 46’), Demiral, Aian, Emre Belezogllu (Tokoz 65’), Takdemir, Jokushllu, Çalhanoglu, Tosun, Burak Jillmaz (Turuc 88’). Trajner: S.Gynesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë