Irena Beqiraj

Dy ingredientët e rëndësishëm që i mungojnë Ballkanit të Hapur


Integrim rajonal do të thotë:
1. Bashkim i disa ekonomive në një njësi ekonomike të vetme
2. Pa kufij midis tyre
3. Ku ekonomia më e madhe merr lidershipin dhe
4. Bëhet qendra gravitacionale natyrore politike.

Gjermania edhe pse ishte agresori kryesor gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkoi falje, ka ndryshuar 100 % qasjen në politikën e jashtme, është lideri ekonomik evropian dhe prandaj sot është qendra gravitacionale politike natyrore e Bashkimit Evropian.
Në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomia më e madhe është Serbia, që fatkeqësisht ndërkohë, prej saj kanë buruar dhe janë ushqyer të gjitha konfliktet në rajon. Ndryshe nga Gjermania, Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen politike me rajonin. Ky është ingredienti i parë, ose kushti politik, për një integrim të suksesshëm. Çdo koncension që do t'i jepet Serbisë nga partnerët strategjikë, në këmbim të paqes në rajon, ushqen vetëm stabilokracinë dhe pamundëson integrimit rajonal funksional.

Elementi i dytë është transparenca edhe qartësia mbi thellësinë e integrimit që duam të arrijmë.
Ka katër faza të integrimit:
1. Zona e lirë tregtare (kemi dy dekada që jemi në këtë fazë, pasi gjithë vendet e rajonit kanë firmosur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në rajon).
2. Bashkimi doganor (heqja tërsisht e kufinjve)
3. Tregu i përbashkët dhe
4. Bashkimi monetar.

Pyetja shtrohet: Cilën nga këto faza synon Ballkani i Hapur? Në mënyrën sesi unë e perceptoj nga ato që dëgjoj dhe lexoj, është faza e dytë, bashkimi doganor, hap i kërkuar nga Serbia në tetor të vitit 2016.
Disa me kundërshtojnë dhe thonë “jo, nuk është bashkim doganor”, por nuk janë në gjendje të argumentojnë as se çfarë është, por as përse duhej një tjetër iniciativë kur faza e parë mbulohej nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit, ku vendet mund të bashkonin forcat për t’i përmirësuar ato.

Përtej kësaj, çdo fazë e integrimit ka nevojë për vendimmarrje të informuara, pra duhet të ketë transparencë dhe informacion të detajuar dhe të studiuar për kostot edhe përfitimet.
Njohja nga aktorët ekonomikë të kostove edhe përfitimet, është parakushti që këta të fundit të modifikojnë vendimet e tyre, për të përballuar kostot edhe për të realizuar përfitimet e dëshiruara.

Përshembull, sot themi do të krijojmë një treg të përbashkët pune, por a kemi një observator rajonal, i cili studion, informon aktorët ekonomikë mbi dinamikat e tregut të punës në vendet e rajonit? Çfarë ofron ai dhe si duhet të ndryshojë ai, me qëllim që bizneset në rajon apo individët të përfitojnë nga tregu i përbashkët i punës?

Pa këto dy ingredientë, Ballkani i Hapur mbetet një kolazh fotografish, drekash pune apo darkash me verë të mirë, një koleksion mbledhjesh pompoze, por që nuk do të japin kurrë asnjë rezultat.


Copyright © Gazeta “Si”