Futboll

Dy goditje në 24 orë, Reali impresionon në merkato

Reali i Madridit këtë sezon është me “armatim të rëndë” në merkato. Brenda pak ditësh në klubin madrilen janë bërë tre afrime zyrtare. Militao nga Porto, Joviç nga Eintrahti dhe Hazard nga Çelsi janë tre blerje të bujshme dhe shumë të kushtueshme për ekipin e Florentino Perez. Por ky është vetëm fillimi i një vere shumë të nxehtë në shtëpinë “merengues”.

Portali i njohur për lajmet e merkatos në Spanjë, “Don Balon” shkruan këtë të hënë se brenda 24 orëve priten 2 goditje shumë të forta në merkato për Real Madridin. Për të parin është arritur akordi dhe pritet vetëm zyrtarizimi ndërsa për tjetrin do duhet të presim edhe pak për të parë njoftimin zyrtar. Sipas “Don Balon” Perez ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Lion dhe afrimi numër katër për ekipin e Zidanë këtë verë do të jetë mbrojtësi i djathtë Ferland Mendy. 24-vjeçari francez do të firmos kontratën me Real Madrid, që ka derdhur në arkat e klubit francez një shumë që i kalon 50 milionë eurot. Nuk jepen detaje të shumta për kontratën e Mendy, por ajo që jepet e sigurt është kohëzgjatja e saj që nuk do të jetë më pak se 5 vite.

Afrimi tjetër që Perez ka arritur ta mbyllë brenda këtyre dy ditëve është kampioni i  Botës, Pol Pogba. Te Mançester Junajtid situata është shumë e paqartë dhe nuk ka shumë siguri për projektin e ri me në krye trajnerin Solskjaer. Për këto motive, por edhe dëshirës së madhe për tu trajnuar me Zidanë, Pogba po konsideron gjithmonë edhe më shumë idenë për tu larguar nga Premier Liga. Perez do duhet të bëjë një tjetër sforco të madhe financiare për t’i rrëmbyer një tjetër yll kampionatit anglez. Kosto e operacionit Pogba në Madrid mund të vërtitet në të njëjtat shifra si ajo e Hazard, pra kosto blerje bashkë me kontratën, rreth 300 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë