Fitoret me Hungarinë dhe San Marinon në “Elbasan Arena” do të kenë ndikimin e tyre në renditjen e FIFA-s për muajin shtator për ekipet kombëtare. Sipas përllogaritjeve, kuqezinjtë duhet të fitojnë tri vende në këtë klasifikim, që pritet të zyrtarizohet pas disa ditësh nga organi që qeveris futbollin botëror.
Shqipëria mbante vendin e 69-të në muajin gusht, por me pikët e grumbulluara pas dy fitoreve të shtatorit do të ngjitet në vend të 66-të. Kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në Grupin I të eliminatoreve të Botërorit, duke lënë pas Poloninë dhe Hungarinë. Dhe kjo paraqitje pozitive në ndeshjet e shtatorit pasqyrohet edhe në renditjen e FIFA-s.

Edhe Kosova do të fitojë disa vende në renditjen e re, pas rezultateve të mira që arriti në ndeshjet e shtatorit, ku arriti të fitonte në Gjeorgji dhe të barazonte në Prishtinë me Greqinë, ndërkohë që u mund nga Spanja. Për muajin gusht dardanët renditeshin të 114-ët, ndërsa për shtatorin, në bazë të përllogaritjeve, do të jenë në vend të 109-të.
Renditja e FIFA-s kryesohet nga Belgjika, më pas vjen Brazili dhe në vend të tretë Anglia, kundërshtari i kuqezinjve në Grupin I të kualifikueseve të Botërorit të Katarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.